Mjeku italian: Ja pse Hantavirusi nuk është si Covidi

BOTA


Pas lajmeve për një vatër të mundshme të Hantavirusit në një anije në Atlantik, një intervistë e një eksperti të fushës dhënë për gazetën italiane La Stampa sjell një lloj qetësie mbi situatën.

Infektologu Ivan Gentile, profesor në Universitetin e Napolit “Federico II”, thekson se nuk ka arsye për alarm dhe se rreziku i një pandemie është praktikisht zero.

Sipas tij, Hantavirusi nuk transmetohet lehtë nga njeriu te njeriu dhe rastet e infeksionit mbeten të rralla, të lidhura kryesisht me ekspozime në mjedise specifike dhe jo me përhapje masive si në rastin e Covid-19.

Intervista

“Duhet të jemi të qartë: rreziku i përhapjes në shkallë të gjerë, siç ndodhi me Covid-in, është praktikisht zero. Po flasim për një sëmundje me transmetim nga njeriu te njeriu shumë të rrallë, pothuajse ekstreme. Nuk jemi përballë një emergjence globale, por me një patologji të lidhur me kushte shumë specifike”, thotë Ivan Gentile.

Profesor, nëse nuk është “një Covid i ri”, çfarë është saktësisht Hantavirusi dhe si merret?

“Hantaviruset janë viruse me ARN që kanë si rezervuar natyror brejtësit. Te kafshët infeksioni shpesh është pa simptoma, por njeriu mund të infektohet duke thithur pluhura të kontaminuara nga urina, feçet ose pështyma e kafshëve të infektuara. Rreziku lidhet kryesisht me mjedise rurale, magazina, banesa të izoluara ose ambiente të mbyllura prej kohësh ku mund të kenë qenë brejtës”.

Tre persona kanë vdekur. Pra, është një infeksion i rrezikshëm?

“Ekzistojnë dy forma kryesore: ethet hemorragjike, që në Evropë shpesh prekin veshkat, dhe sindroma pulmonare, që mund të shkaktojë insuficiencë akute respiratore. Kohët e fundit është rikthyer në vëmendje edhe vdekja e bashkëshortes së aktorit Gene Hackman, e lidhur me një sindromë pulmonare të kontraktuar ndoshta në ambient shtëpiak. Megjithatë, në Itali rastet mbeten shumë të rralla dhe lidhen me ekspozime profesionale ose udhëtime në zona me rrezik”.

Megjithatë një anije kroçiere duket ambient ideal për një vatër. Pse nuk duhet të frikësohemi nga përhapja mes pasagjerëve?

“Anijet janë ambiente komplekse për shkak të dendësisë së njerëzve, por Hantavirusi nuk transmetohet lehtë nga njeriu te njeriu. Është shumë më e mundshme që një infeksion të ndodhë para imbarkimit ose nga ekspozimi direkt ndaj ambienteve të kontaminuara të anijes, si magazinat apo zonat e stokimit të mallrave. Rreziku për pasagjerin e zakonshëm mbetet minimal”.

Si mbrohen portet tona nga hyrja e mundshme e virusit përmes udhëtarëve?

“Meqë inkubacioni mund të jetë i gjatë, një hyrje ‘e heshtur’ përmes udhëtarëve është e mundur. Megjithatë, parandalimi i vërtetë bëhet me kontroll sanitar në porte: monitorim i mallrave, kontrolli dhe menaxhimi i mbetjeve. Zyrat e shëndetit detar në portet kryesore italiane tashmë e bëjnë këtë mbikëqyrje”.

A janë mjekët e përgatitur për ta njohur këtë sëmundje kaq të rrallë?

“Diagnoza është e vështirë sepse simptomat fillestare (ethe, dhimbje muskulare, gjendje e përgjithshme e keqe) janë identike me gripin. Këtu anamneza është vendimtare: nëse pacienti ka udhëtuar ose ka qenë në ambiente me rrezik, mjeku duhet ta dyshojë dhe ta referojë në qendra të specializuara. Në Federico II kemi aktivizuar një ambulancë të mjekësisë së udhëtarit pikërisht për këto raste”.

Duke mos pasur vaksina apo antivirale specifike, cila është strategjia më e mirë?

“Nuk kemi shumë mjete farmakologjike kundër kësaj familjeje virusesh, prandaj mbikëqyrja ndërkombëtare është mbrojtja e vetme reale. Nuk duhet ta ulim kurrë vigjilencën, as në periudha ‘paqeje’ të dukshme. Të mbajmë të ngritur survejimin virologjik nuk e eliminon rrezikun, por e bën atë të pranueshëm”.

Shkrim për Corriere della Sera



Skip to toolbar