Partia Demokratike i është përgjigjur kryeministrit Rama ku ka kërkuar zbatimin e ligjit nga kryetarët demokrat të bashkive, duke e cilësuar se në fakt ‘është vetë kryeministri në paligjshmëri të plotë.‘
Paraditen e së premtes, 5 bashki që udhëhiqen nga opozita, i drejtuan një letër Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të tërhequr KZAZ-të dhe listat emërore, pasi zgjedhjet nuk do të mbahen më 30 qershor sipas dekretit të presidentit Meta.
Në deklaratën e saj, Partia Demokratike kërkon që Rama të zbatojë ligjin, pasi vendimi i presidentit Meta është botuar në Fletoren Zyrtare.”Kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.” thotë PD-ja.
“Zoti Kryeministër! Je kokë e këmbë në paligjshmëri!
Qeveria e drejtuar prej teje ka botuar në Fletoren Zyrtare dekretin e Presidentit. Siç mund ta dish fare mirë, në Fletoren Zyrtare publikohen aktet ligjore të detyrueshme për zbatim në Republikën e Shqipërisë. Mos u lodh me urdhra pa vlerë që nxisin militantët e tu në KQZ të na kërcënojnë me ndjekje penale, sepse, për sa kohë nuk ekziston një datë zgjedhjesh, as zgjedhjet nuk ekzistojnë.. Kushdo që vepron ndryshe, është në paligjshmëri!
Zoti Kryeministër, kur Presidenti të shpallë një datë të re zgjedhjesh, atëherë gatishmëria jonë për respektimin e ligjit, do të jetë, si gjithmonë, maksimale.
Hallin e datës 30 nuk ta zgjidhim dot ne!
Je që je kot dhe sillesh nëpër Shqipëri si qyfyrexhi, jepi urdhër KQZ-së të shpallë menjëherë nisjen e negociatave me BE-në!” – thuhet në deklaratën e PD.