Seanca e sotme plenare nuk ka nisur ende, por tensionet mes Gardës së Republikës dhe deputetëve të Rithemelimit kanë filluar tashmë.
Nga pamjet e siguruara nga brenda sallës së Parlamentit shihen forca të shtuara të Gardës, karrige të përmbysura pranë foltores dhe ligjvënës të grupimit të Berishës të cilët kanë nisur edhe përplasjet.
Ndërkohë, kreu i Rithemelimit, Sali Berisha, po komunikon me ndjekësit e tij “live” nga Facebook-u.
Kujtojmë se këtë të hënë beteja politike do të jetë e përqendruar në Kuvend, aty ku pritet të diskutohet dhe miratohet në parim projekt-buxheti i vitit të ardhshëm.
Përballë aksionit opozitar për të bllokuar punimet e Kuvendit, siç e kemi parë në këto ditë, mazhoranca ka përgatitur skenarët e saj, me qëllim që buxheti të kalojë.
Nga votimi pa diskutim gjer te zhvendosja e mbledhjes në Kryesinë e Kuvendit, janë planet e socialistëve, të cilët kanë deklaruar se as protesta dhe as ngujimi i demokratëve në Parlament nuk do t’i pengojë për ta votuar projekt-buxhetin.