Pas debateve të shumta në parlamenti e tyre duket se Holanda do të bëjë realitet kërcënimet për vendosje të vizave për shqiptarët në Zonën Shengen.
Një mocion për anulim të përkohshëm të vizave për shqiptarët është paraqitur pranë parlamentit holandez nga 4 politikanë, Sekretarja e Grupit të Kristian-Demokratëve, Madeleine van Toorenburg, deputeti i partisë Konservatore-Liberale, Jeroen van Wijngaarden, deputeti socialist Jasper van Dijk si dhe Nico Drost nga partia Bashkimi-Kristian.
Do të jetë parlamenti holandez që do t’i propozojë Komisionit Evropian të iniciojë procedurën e “frenimit emergjent”, i cili mundëson pezullimin e udhëtimit pa viza.
“Rritja e konsiderueshme e aktivitetit kriminal nga mafia shqiptare në Holandë po abuzon me mundësinë e udhëtimit nëpër Evropë pa viza duke zgjeruar më tej rrjetin e tyre të kontrabandës. Ky mocion i bën thirrje qeverisë të paraqesë një kërkesë në Komisionin Evropian për të iniciuar procedurën e frenimit emergjent për të pezulluar përkohësisht liberalizimin e vizave të Shqipërisë.” – thuhet në mocionin e paraqitur nga 4 politikanët holandez.
Pezullimi i përkohshëm i vizave njihet me Rregulloren e BE-së 1289/2013 dhe e lejon këtë gjë të zbatohet për shtetasit e vendeve të treta në raste të veçanta që konsiderohen si “situata emergjente”. Pezullimi mund të miratohet me shumicën e thjeshtë të votave nga Komisioni Evropian.