Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet për policinë e Durrësit në lidhje me aksidentin e rëndë që ndodhi dy ditë më parë, ku humbën jetën dy fëmijë.
Raportohet se AMP po heton efektivët e policisë, por dhe kupolën drejtuese të Durrësit nëse kanë kryer shpërdorim detyre apo jo duke favorizuar drejtuesin e mjetit me inicialet N.R, duke mos i bllokuar lejen e qarkullimit.
Sjellim ndërmend se ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 3 majit në lagjen nr. 15 të Durrësit. Tre fëmijë po luanin me top në trotuar, kur automjeti i drejtuar nga 57-vjeçari, i ka përplasur ndërsa po lëvizte me shpejtësi të lartë.
Si pasojë e aksidentit, dy fëmijë të moshave 12 dhe 10 vjeç humbën jetën, ndërsa një tjetër 8-vjeçar mbeti i plagosur rëndë, por arriti të mbijetojë.
57-vjeçari ka qenë drejtues problematik. Ai ishte ndëshkuar në vitin 2020 për parakalim të gabuar, ndërsa në vitin 2022 i ishte pezulluar dy herë nga 1 muaj leja e drejtimit për tejkalim të shpejtësisë.
Ngjarja e rëndë solli ndryshime në strukturat e Policisë së Durrësit. Pas aksidentit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, pezulloi nga detyra, për performancë të dobët në përmbushjen e detyrave, drejtorin e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, Afrim Tafa.
Në vend të tij është komanduar përkohësisht Ervin Hodaj. Hita ka pezulluar edhe zëvendësdrejtorin për Rendin dhe Sigurinë Publike të Drejtorisë së Durrësit, Zija Sulaj, si dhe shefin e Sektorit të Policisë Rrugore, Kreshnik Skëndo.
Gjithashtu, Hita ka urdhëruar Drejtorinë e Policisë Rrugore për të ngritur një grup ekspertësh, të cilët shkuan në vendngjarje për të analizuar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit
