Një version i Andeve i Hantavirusit që përhapet mes njerëzve ka ngjallur frikë dhe shumë pikëppyetje, edhe pse Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se nuk ekziston rreziku për një pandemi.
Më shumë dyshime se përgjigje, kjo ka qenë situata pas vdekjeve dhe rasteve të konfirmuara, të një sëmundjeje që nuk ka kurë.
Ajo që nuk dihet deri më tani është se kur filloi përhapja. Hetuesit argjentinas dyshojnë se një çift holandez mund ta ketë marrë virusin për herë të parë gjatë një udhëtimi për të vëzhguar zogjtë përpara se të hipnin në anijen turistike në Argjentinë më 1 prill. Por asnjë organizatë nuk ka konfirmuar se ku ose si e kanë marrë sëmundjen.
Ministria e Shëndetësisë e Argjentinës është përqendruar në qytetin më jugor të vendit, Ushuaia dhe zyrtarët po shqyrtojnë këtë vend.
Është gjithashtu e paqartë se sa persona mund të kenë qenë të ekspozuar. Operatori i anijeve turistike Oceanëide Expeditions dhe zyrtarët holandezë thanë të enjten se më shumë se 20 njerëz nga të paktën 12 vende të ndryshme lanë anijen në ishullin e largët të Shën Helenës në Atlantikun Jugor më 24 prill.
Ata përfshinin një grua holandeze që zbarkoi me trupin e burrit të saj. Ai ishte pasagjeri i parë që vdiq, por vetëm më 2 maj autoritetet shëndetësore konfirmuan për herë të parë hantavirusin në një pasagjer anijeje.
Vonesa i detyroi vendet të përpiqeshin të gjurmonin pasagjerët që zbritën nga anija rreth dy javë më parë.
Ajo që nuk dihet gjithashtu është vendndodhja e të gjithë pasagjerëve që ishin në avion me gruan holandeze.. Një asistente fluturimi që kishte kontakt me të ka rezultuar negative për hantavirus pasi raportoi simptoma.
Disa qeveri, si Mbretëria e Bashkuar, kanë konfirmuar vendndodhjen e qytetarëve të tyre që lanë anijen. Megjithatë, zyrtarët britanikë nuk e dinë ose nuk e kanë bërë publike se me sa të tjerë kanë rënë në kontakt që atëherë.
Në SHBA, disa zyrtarë shtetërorë thanë se po monitoronin një numër të vogël banorësh që ishin në anije dhe tashmë ishin kthyer në shtëpi, po asnjë nuk ka simptoma.
