Atletico Madrid ka zyrtarizuar transferimin e mbrojtësit të djathtë, Kieran Trippier, që lë Tottenham për skuadrën madrilene. Trippier gjithashtu i zë vendin Elseid Hysajt, që ishte një nga kandidatët për të shkuar te Atletico Madrid këtë merkato. Megjithatë, ish-mbrojtësi i Tottenham ka nënshkruar një marrëveshje trevjeçare në ‘Wanda Metropolitano’, duke u bashkuar me ekipin e Diego Simeone për të zëvendësuar Juanfranin, që është duke u larguar.
Atletico fillimisht ishte i interesuar për shërbimet e Meunier nga PSG, por çmimi i lartë i kërkuar nga klubi për transferimin, e detyroi Los Colchoneros që të ndryshonte plan. Trippier është një nga lojtarët e vlerësuar më herët nga Simeone, plus transferimi i tij i ka kushtuar vetëm 22 milionë euro skuadrës së Atleticos. Gjatë kësaj merkatoje, Diego Simeones i janë larguar apo do të largohen disa lojtarë të rëndësishëm, si: Antoine Grtiezmann, Juanfran, Diego Godin, Lucas Hernandez dhe Rodi.
Ndërkohë, afrimi i Trippier i bën Los Colchoneros klubin më aktiv në merkato deri tani në Spanjë, pasi me shpenzimin për të, vlera totale e shpenzuar në merkato shkon 220 milionë euro. Mbrojtësi anglez bëhet nënshkrimi i gjashtë i klubit, pas Joao Felix (126 milion euro, Benfica), Marcos Llorente (30 milion euro, Real Madrid), Felipe (20 milion euro, Porto); Renan Lodi (20 milionë euro, Club Athletico Paranaense) dhe Héctor Herrera (pa pagesë, Porto).