Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev ka reaguar për herë të parë për skandalin e korrupsionit që ka përfshirë zyrtarë të lartë në vendin fqinj. Disa orë pas publikimit të audiopërgjimit të tretë nga gazeta italiane “La Verita” ku përmendej edhe emri i kreut të qeverisë maqedonase, Zaev përmes një postimi të gjatë në Facebook shkruan se është keqpërdorur emri i tij.
Ai bëri thirrje për një hetim të pavarur për çështjen “zhvatja”, ndërsa hodhi poshtë akuzat për çdo lloj lidhje me pronarin e televizionit Bojan Jovanovskin. “Pres që hetimet për këtë çështje të përfundojnë sa më shpejtë dhe fajtorët të dalin para ligjit. Përgjegjësit apo trilluesit dhe ata që bëjnë gjithçka për të shpëtuar, nuk mund të hiqen si viktima. Ato që thuhen në audiopërgjim janë gënjeshtra dhe marrëzi të qëllimshme për të përforcuar pozicionin dhe fuqinë para bashkëfolësit. I dënoj ashpër dhe kundërshtoj me forcë çfarëdo lloj lidhjesh, bashkëpunimi apo komunikimi me të dyshuarin Bojan Jovanovskin në lidhje me çështjen “Zhvatja” dhe për çfarëdo lloj çështjesh të tjera që lidhen me këtë rast”, tha Zaev.
Gjithashtu Zaev shpjegoi më tej se ka biseduar me biznesmenin Bojan Jovanovskin, ose të njohur ndryshe me pseudonimin Boki 13, për aktivitete humanitare dhe se as ai apo as qeveria nuk kanë pasur një bashkëpunim të mëtejshëm. Për fotografinë e publikuar në rrjetet sociale ku shfaqet kryeministri dhe pronari i televizionit, Zaev tha se është intervistuar sikurse edhe në të gjitha televizionet e tjera.
Ndërkohë në skandalin qe ka tronditur opinion publik në Maqedoninë e Veriut, është përfshirë edhe emri i prokurores speciale Katica Janeva dhe kolegia e saj Lile Stefanova, megjithatë të dyja i mohojnë akuzat se kanë marrë para në këmbim të lirisë së biznesmenit. Në audiopërgjimin e tretë të publikuar këtë të shtunë, dëgjohet se si Bajon Jovanovski i njohur si Boki 13, Kamçev dhe prokurorja speciale Katica Janeva, janë në komunikim të vazhdueshëm me njëri-tjetrin. Pronari i televizionit flet për miqësinë me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev dhe fotot që ai ka bërë me të në studiot televizive.