Mesazhet e protestës, Basha nga Miloti, Kryemadhi në Durrës

Më të fundit


Gjatë protestës së opozitës së bashkuar edhe liderët e partive pjesëmarrëse ishin përqendruar në qytete të ndryshme të vendit. Kreu i PD-së Lulzim Basha ishte i vendosur në Milot, ku protestohej tek karburanti në autostradë, ndërsa kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ndodhej në Durrës në zonën e Plepave.

Gjatë fjalës së tij Basha tha se këto protesta janë nisja e mosbindjes civile, që do të vijojnë të përshkallëzohen deri sa të çojnë në fund betejën e nisur.

“Miloti, Elbasani, Tirana, Durrësi dhe Fieri, nisin sot aktin e mosbindjes civile si shembulli i pathyeshmërisë së popullit shqiptar për ta çuar deri në fund betejën që kemi nisur. Vendi ynë është në udhëkryq dhe këtu e ka sjellë njeriu me i paaftë, më i dështuar dhe më i kriminalizuar që njeh pluralizmi. Brenda 6 vitesh shkatërroi, drejtësinë dhe ekonominë, solli krimin në sofër dhe vuri oligarkët në krye të pasurisë së shqiptarëve dhe vrau shpresën ku 500 mijë shqiptarë e braktisin vendin.” – tha Basha

Nga Miloti, Basha tha edhe një herë se zgjedhje nuk do të ketë më 30 qershor dhe se opozita e vetme është ajo që ndodhet sot në rrugë duke protestuar për zgjedhje të lira.

“Pa vota të lira nuk iu jep qeveria llogari popullit, por krimit. Pa zgjedhje të lira nuk hapen dyert e Europës. PD dhe opozita e bashkuar është sot koalicioni më i madh numerik dhe moral. Edi Rama e lidhi fatin me hajdutët. Në 30 qershor nuk ka për të patur zgjedhje në Shqipëri. Dhe këtë e di Bufi dhe vëllai i Bufit o Edi Rama. Nuk ka zgjedhje. Opozita nuk klonohet dhe as nuk krijohet nga mercenarët që i shërbejnë pushtetit. Ka vetëm një opozitë, ajo jemi ne. Nuk ka zgjedhje me 30 qershor, sepse ne jemi të vendosur të mos lejojmë krimin elektoral. ” – tha Basha

Kryedemokrati Basha e mbylli fjalën e tij duke thënë se protestat nuk do të ndalen deri sa të ketë zgjedhje të lira dhe të shkojnë në burg të gjithë bashkëpunëtorët politik të Ramës të kapur duke trafikuar votat.

“Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë”, kështu deklaroi edhe Kryemadhi nga Durrësi. Ajo tha se këto protestat do të përhapen në të gjithë Shqipërinë dhe nuk janë më të opozitës, por të shqiptarëve.

“Tashmë do të shpërndahemi në të gjithë Shqipërinë. Nuk do të ndalemi. Këto nuk janë më protestat e opozitës, këto janë protestat e shqiptarëve. Sot nuk ka rrugë tjetër, o do të jesh me qytetarët, o do të jesh me krimin e organizuar. Zgjedhje më 30 qershor nuk do të ketë. Rama do shohë revoltën e shqiptarëve.”- tha Kryemadhi



Skip to toolbar