PD, kërkesë prokurorisë për verifikim: Agim Kajmaku i Vorës, i arrestuar në Greqi

AKTUALITET


Pas Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike akuzon kryebashkiakun e Vorës se ka qenë i arrestuar dhe i dëbuar nga Greqia. Për të vërtetuar këtë, PD i ka dërguar një kërkesë zyrtare Prokurorisë së Përgjithshme që të nisë sa më parë procesin e verifikimit të Kajmakut, bazuar në ligjin për dekriminalizimin.

Shkresa e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi i është dërguar prokurorisë së përgjithshme dhe për dijeni ambasadës Amerikane në Tiranë, delegacionit të BE-së dhe të gjitha ambasadave të tjera të huaja.

PD pretendon se Kajmaku për 12 vite me radhë nuk ka udhëtuar drejt Greqisë, ndërkohë që ka jetuar atje me një emër tjetër, Jorgo Toro dhe ka qenë i arrestuar, fakt të cilin e ka fshehur në formularin e dekriminalizimit.

“Ai dyshohet se ka qenë i arrestuar/ndaluar në Greqi dhe, më pas, ndaj tij është marrë masa e dënimit dhe dëbimit nga autoritetet përgjegjëse greke.

Në Formularin e Vetëdeklarimit shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro ka deklarur se ka jetuar për 5 vite në Greqi. Nga verifikimi i të dhënave të sistemit TIMS rezulton se shtetasi Agim Kajmaku alias Jorgo Toro nga periudha 2004 – 2016 nuk ka udhëtuar në asnjë rast të vetëm në drejtim të Greqisë, çka përbën një indicie për saktësinë e të dhënave të bëra publike më parë”,- argumenton PD në kërkesën për verifikimin e figurës së Agim Kajmakut, që mban.

Njësoj si në rastin e Valdrin Pjetrit, PD e ka shoqëruar kërkesën e saj me 500 firma qytetarësh.

“Nisur nga interesi i lartë publik që paraqet kjo çështje, Partia Demokratike e Shqipërisë pret një verifikim dhe reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synimin që të arrihet qëllimin primar që ka ligji i dekriminalizimit. Konkretisht, qëllimi i ligjit është të garantojë besimin e publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to të personave, të cilët janë dënuar për kryerjen të krimeve”, – thuhet në kërkesën e firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi.

Publikimi më herët i dokumenteve nga PD që vërtetuan se Valdrin Pjetri i Shkodrës kishte qenë i dënuar disa vite më parë në Itali, bëri që Pjetri të dorëhiqej nga posti dhe të mos kryente betimin si kryebashkiak i Shkodrës, duke shkaktuar ngërç në drejtimin e kësaj bashkie. PD synon të shkarkojë edhe kreun e Bashkisë së Vorës, në rast se akuzat e saj rezultojnë të vërteta.



Skip to toolbar