“Qeveria është e vendosur për t’i dhënë fund shfrytëzimit pa asnjë kriter të pasurisë natyrore të Malit “të shenjtë” të Tomorrit.” Ky ka qenë mesazhi që ministri i Turizmit Blendi Klosi ka dhënë nga mbledhja e Këshilli Kombëtar të Territorit. Mali i Tomorrit ka qenë në fokus të KKT, ku kërkohet shpallja e tij pasuri natyrore e Park Kombëtar, për të ndaluar abuzuesit që po dëmtojnë zonën. Klosi tha se qeveria do të kalojë në skaner të gjitha guroret që kryejnë aktivitet në këtë zonë dhe e kanë kthyer atë në një gangrenë. Beteja vijon për mbrojtjen e Malit të Tomorrit dhe se 10 guroret do të kalojnë në filtër për aktivitetin e tyre është shprehur Klosi.
“Jemi para vendimit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Vendimi i Berishës në 2012 kur shpalli zonë të mbrojtur malin e Tomorrit përjashtoi këtë zonë, e cila u krijua si gangrenë, ku na kërkohet të rikuperojmë një gabim që nëse 7 vite më parë do ishte bërë në mënyrë të ndershme nga politika e asaj kohe do të kishim një zonë të mbrojtur, pasi ky është mal me vlera ekonomike, mbrojtje të kaq shumë speciesh dhe që kjo zonë të mos ishte e degraduar nga ata që po e shfrytëzojnë për marrjen e gurëve edhe në zonën e mbrojtur. Vendimi i 2018 u rrëzua me një vendim absurd nga gjykata që kërkoi që procedura të vinte edhe në KKT. Mali i Tomorrit duhet mbrojtur. Kjo katrahurë nuk duhet të vijojë. Mbrojtje do të ketë edhe për basenin ujor të Bogovës, që rrezikon cilësinë e ujit për Beratin dhe Skraparin. Shumë shpejt do të kalojnë në skaner guroret për aktivitetin e tyre, do të kërkojmë të kthejmë në vend padrejtësinë historike që i është bërë këtij komuniteti dhe mali” tha Klosi.
Qeveria vendosi në 2018 që ta kthente në park kombëtar të gjithë Malin e Tomorrit, i cili prej disa dekadash po gërmohej dhe shkatërrohej nga kompanitë gurore. Gjykata e Apelit Administrativ vendosi më 17 korrik që të shfuqizojë vendimin e qeverisë dhe vendosi rikthimin e kompanive gurore në punë. Kjo ka sjellë protesta të banorëve dhe përplasje me policinë, ndërsa ministria e Turizmit ka nisur një peticion për të mbledhur firmat ku kërkohet shpallja Park Kombëtar i gjithë Malit të Tomorrit.