Presidenti Ilir Meta i është kthyer mesazheve drejtuar Ramës e Bashës, ndërsa ka risjellë një video të vetën në kohën kur ishte kryetar i LSI-së.
Në videon e publikuar në profilin zyrtar të presidentit, Meta shfaqet me pamjen e tij të dikurshme, me më shumë kilogramë, ndërsa flet në një miting elektoral të LSI-së dhe thotë se nuk do të bëjë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit, ditë kur u miratuan ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 të dakordësuara midis dy partive të mëdha, PS-së në opozitë në atë kohë dhe PD-së në maxhorancë.
Sipas Metës, parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë.
“Ne kurrë nuk do të pranojmë dhe nuk do të bëjmë asnjë kompromis me atentatin kushtetues të 21 prillit. Sepse për ne parimi i ndarjes së pushteteve është i shenjtë, është jetik, është vetë vija ndarëse midis demokracisë dhe diktaturës”, ka deklaruar Meta në mitingun e LSI-së. Ndërsa të shtunën (sot) shkruan se kjo deklaratë e tij e bërë 11 vite më parë, është më e vërtetë dhe më aktuale se kurrë më parë.
Përmes kësaj deklarate duket se presidenti po mundohet të japë disa mesazhe drejtuar Ramës e Bashës. Së pari edhe më herët ai është shprehur kundër ndryshimeve kushtetuese të bëra në vitin 2008. Këto ndryshime të Kushtetutës bënë që Presidenti i Republikës nga 84 vota, të zgjidhet në dy raundet e fundit vetëm me 71 vota. Që nga hyrja në fuqi në vitin 1998, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është rishikuar tre herë. Në rastin e parë, në vitin 2007, u bë zgjatja e afatit të qëndrimit në detyrë për organet e zgjedhura të pushtetit vendor nga 3 në 4 vjet. Në rastin e dytë, në 2008-ën, u konsumuan ndryshimet më të rëndësishme teksa u modifikuan procedura e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, procedura e votëbesimit të qeverisë, dhe afati i qëndrimit në detyrë për Prokurorin e Përgjithshëm. Në rastin e tretë, në vitin 2012, u bë një ndërhyrje për të mundësuar zbutjen e regjimit të imuniteteve të funksionarëve të lartë publikë.
Gjithësesi ajo që duhet të kujtojmë është se Kushtetuta u ndryshua përmes një marrëveshje Rama-Berisha dhe siç duket Meta kërkon të thotë se nuk do të pranojë një marrëveshje të ngjashme Rama-Basha, nisur nga zhvillimet e fundit dhe sinjalet për bashkëpunim mes palëve për realizimin e reformës zgjedhore.
Po kështu duke risjellë pamjet e tij në kohën kur ishte kryetar i LSI-së, Meta kërkon të tregojë se është gati të kthehet si kryetar partie. Të paktën këtë mesazh e ka dhënë edhe më herët kur deklaroi pjesëmarrjen e tij në Komisionin Hetimor parlamentar për shkarkimin e tij. Presidenti shkroi se “mezi pret të kthehet në parlament”, duke njoftuar në këtë mënyrë se fill pas shkarkimit ai do të jetë aktiv në politikë si kryetar partie dhe se do ta kenë përballë si Rama dhe Basha, të cilët nuk do të lejohen të bëjnë marrëveshje të ngjashme si ajo e 2008./Realstory.al