“E presim copa copa dhe e fusim në çanta”, biseda horror e vrasjes së gazetarit Khashoggi

BOTA


Vrasja e gazetarit të Washington Post, Jamal Khashoggi në Konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll, u dënua nga e gjithë bota, ndërsa ai hyri brenda më 2 tetor 2018 për të mos dalë më kurrë. Khashoggi ishte një gazetar kritik ndaj princit të kurorës, Mohammad bin Salman, ku thuhet se është personi që ka dhënë urdhrin për ekzekutimin e tij.

Mirëpo ajo që e bën edhe më tragjike këtë situatë është zbardhja e një bisede horror mes tij dhe “grupit” ekzekutues që ndodhej brenda konsullatës. Gazeta turke “Daily Sabah” ka publikuar transkripte të bisedës së fundit mes ekzekutuesve dhe gazetarit Khashoggi, pak para se të vdiste. Audiot e regjistruara janë siguruar nga shërbimi sekret turk MIT dhe më pas janë shpërndarë te autoritetet turke që kanë kryer hetimet.

Në transkripte figuron Maher Abdulaziz Mutreb, personi i dytë përgjegjës i skuadrës ekzekutuese, dhe dr. Salah Muahmmed Al-Tubaigy, kreu i Mjekësisë Ligjore në Departamentin e Sigurisë së Përgjithshme Saudite, person që ishte përzgjedhur për të bërë “copa copa” trupin e gazetarit Khashoggi.

Khashoggi, pasi ka hyrë në Konsulatë është futur në dhomën e ekzekutimit dhe i kanë kërkuar që t’i dërgojë një mesazh të birit, për ti thënë se është mirë, por që gazetari nuk ka pranuar. Më pas ai është mbytur me qese dhe trupi i tij është coptuar e futur në 5 çanta për ta zhdukur nga konsullata pa rënë në sy.

Lexoni bisedën e plotë të zbardhur nga gazeta turke “Daily Sabah”.

Mutreb: Është e mundur që të vendosim trupin në një çantë?

Al-Tubaigy: Jo. Shumë i rëndë dhe i gjatë. Unë kam punuar gjithnjë me kufomat. Di si t’i pres mirë, por nuk kam punuar ndonjëherë me trupa të ngrohtë. Por do ja dal me lehtësi. Normalisht unë vendos kufje dhe dëgjoj muzikë kur pres kufomat. Në të njëjtën kohë pi kafe dhe cigare. Pasi ta copëtoj, ju do të mbështillni pjesët në qese plastike, i vendosi në valixhe dhe i nxirrni jashtë godinës. Eprorët e mi në Mjekësinë Ligjore nuk dinë gjë se çfarë po bëj. Nuk më mbron kush…

Mutreb: Erdhi “kafsha që do sakrifikohet”?

Në këtë moment Khashoggi hyn në konsullatë dhe pasi nis të dyshojë kapet nga krahu dhe shoqërohet në dhomën e ekzekutimit.

Mutreb: Ju lutem uluni! Duhet të të çojmë në Riad. Ka një urdhër nga Interpoli. Interpoli ka kërkuar që ju të riktheheni. Jemi këtu që të të marrim.

Khashoggi: Nuk ka padi kundër meje. E fejuara ime po më pret jashtë.

Mutreb: keni celularë me vete?

Khashoggi: Kam dy.

Mutreb: Çfarë marke?

Khashoggi: iPhone.

Në dhjetë minutat e fundit të jetës biseda që përcillet është kjo:

Mutreb: Lini një mesazh për djalin tuaj.

Khashoggi: Çfarë duhet t’i them djalit tim?

Mutreb: Do të shkruani një mesazh, ta përsëris: na e tregoni neve.

Khashoggi: Çfarë duhet t’i them? “Shihemi së shpejti”?

Një anëtar i skuadrës: Qepe!

Mutreb: Shkruani diçka të tipit “jam në Stamboll. Mos u bëj merak nëse nuk më kap dot”.

Khashoggi: Nuk duhet të them rrëmbyer.

Një anëtar i skuadrës: Hiqe xhaketën!

Khashoggi: Si mundet të ndodhë një gjë e tillë në një konsullatë? Nuk kam për të shkruar asgjë.

Një prej anëtarëve të skuadrës: Qepe!

Khashoggi: Nuk kam për të shkruar gjë.

Mutreb: Shkruajeni z. Jamal. Nxitoni. Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë, sepse në fund ne do të të çojmë në Arabinë Saudite dhe nëse nuk na ndihmoni dini se çfarë do të ndodhë.

Khashoggi: Këtu ka një peshqir. Do më drogoni?

Al-Tubaigy: Do të vëmë në gjumë.

Pasi drogohet Khashoggi dëgjohet të thotë: “Mos ma mbyllni gojën. Kam azëm. Mos e bëni, do më mbysni”.

Këto thuhet se janë fjalët e fundit të gazetarit në fjalë pas të cilave në regjistrimi dëgjohen zhurmat e lëvizjeve të Khashoggit që sipas gazetës ka kokën brenda një qeseje plastike dhe lufton për jetën e tij.

Pas vdekjes rezultojnë të regjistruara zhurmat e veprimeve të copëtimit të trupit. Sharra e autopsisë dëgjohet në orën 1:39 dhe vazhdon si procedurë për gjysëm ore.



Skip to toolbar