Opozita i bën dalje Metës. Mediu: Dialog me Ramën (dhe ndërkombëtarët)

AKTUALITET


Pas sulmeve që Ilir Meta bëri ndaj opozitës, duke u shprehur se në protestat e saj ‘do të tentohej të digjej parlamenti’, Partia Demokratike dhe aleatët, po japin sinjale të thellimit të krisjes me kreun e shtetit, të cilin në fakt deri pak kohë më parë e shihnin si garantin e ‘unitetit’ kombëtar. Në një intervistë në një studio televizive, kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, është shprehur se opozita duhet të dialogojë me mazhorancën, duke thënë se ‘institucioni i opozitës duhet të ulet me institucionin e mazhorancës’.  

“Opozita duhet të kërkojë dialogë me mazhorancën. “Rama ik” patjetër, sepse është simbol i së keqes. E lidhim politikën thjesht me individ. Përgjegjësia ka një hierarki, asnjëri nuk është i imunizuar nga e keqja. Këta kanë një përgjegjësi më të madhe se personat e tjerë. Në Shqipëri, pushteti nuk është më institucional, por i liderëve partiak. Institucioni i opozitës duhet të ulet me institucionin e mazhorancës, me faktorin ndërkombëtar. Historia ka treguar që në momente të vështira është gjendur zgjidhje. Duhet ta mendojmë më afatgjatë zgjidhjen”, shprehet Mediu.

Më tej, ai ka shtuar se dialogu i opozitës me mazhorancën duhet të bëhet nëpërmjet partnerëve ndërkombëtarë. “Kemi nevojë për partnerët ndërkombëtar, se çfarë bëjmë ne janë edhe kërkesa të tyre. Në këtë pikëpamje, Komisioni Europian,  SHBA dhe OSBE-ODIHR kanë shpallur interes për dialog, por nuk mund të vijnë kur ne sot jemi pjesë e një sherri. Nuk heq dorë se sa më shpejt të largohet Rama, aq më mirë, por s’e kam në dorë. Unë duhet të shikojë interesin e vendin. Nëse opozita do marrëdhënie me qytetarët dhe ndërkombëtareve, duhet të lërë indinjatën”, tha Mediu.

Në fakt, Ilir Meta nuk ngurroi të sulmonte përsëri ndërkombëtarët të mërkurën pasdite gjatë një konference për shtyp. Akuzat ishin të rënda, aq sa kreu i shtetit i cilësoi ndërkombëtarët se ‘po mbajnë Shqipërinë në situatë ngërçi’. Ndërkohë, fakti që aleatët e Bashës, dhe vetë kryedemokrati është shprehur më herët, se zgjidhja e krizës duhet të bëhet me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve, është dhe një përgjigje ndaj Ilir Metës për deklaratën e tij të një dite më parë, ku fajësoi ndërkombëtarët si përgjegjës për krizën politike në vend.



Skip to toolbar