“Messi do të jetë përjetësisht me ne”, është deklarata e bërë nga Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, duke konfirmuar se argjentinasi nuk do të largohet kurrë nga “Camp Nou”, duke lënë të kuptohet gjithashtu se Messi do ta mbyllë karrierën te katalanasit.
Numri një i klubit të Barcelonës ka folur për mediat dy ditë pasi Lionel Messi bëri një tjetër paraqitje spektakolare në Ligën e Kampionëve, duke shënuar dy gola në fitoren 3-0 në gjysmëfinalen e parë ndaj Liverpool. Në këtë ndeshje, Messi rrumbullakosi 600 gola me fanellën blaugrana.
“Ai mund të luajë futboll deri 45 vjeç, kush e di?, – tha presidenti i Barcelonës për “The Guardian”. – Ne themi se do të luajë tri, katër, apo pesë vite më shumë, por nuk e dimë me siguri se sa. Le të luajë sa dëshiron vetë Leo”.
“Jemi duke u përgatitur për periudhën pas pensionimit të Messit. Lojtarë si Dembele, Lenglet dhe Arthur janë atje për të ndërtuar një ekip, edhe pa Messin duke luajtur. Megjithatë, unë ende shoh një rrugë të gjatë deri në tërheqjen e Leos nga futbolli i luajtur. Nuk mendoj se ajo ditë është afër”.
“Ne u themi lojtarëve që luajnë dhe trajnohen me të: Bëni maksimumin në çdo minutë. Ai është një futbollist, prandaj po flasim për futbollin, por do të qëndrojë përjetë me ne, në funksione të tjera”.
“Unë flas gjithmonë për Pele, i cili ka qenë përherë i lidhur me Santos, i vetmi klub, ku luajti në Brazil. Leo i përket futbollit botëror, por ka për të jetuar gjithmonë në Barcelonë. Ai do të jetë i lidhur vetëm me një klub. Leo nuk do të largohet kurrë”.
“Ai do të ndalet së luajturi, por gjithmonë do të jetë me ne. Leo është një gjeni dhe ka treguar sa vlen prej kaq shumë sezonesh. Ne jetojmë një epokë të jashtëzakonshme me të, por për tifozët tanë duket gjithçka normale”.