Zgjedhjet inekzistente të “13 tetorit” u bënë meme në rrjetet sociale. Por, reagimet nuk munguan as nga përfaqësues të politikës në vend. Ish-anëtari i Këshillit Kombëtar të PD-së, Edvin Kulluri, një nga kritikët e Lulzim Bashës, ironizoi të dielën për “zgjedhjet e 13 tetorit”. Kulluri shprehet se pas “fitores së opozitës me 85% të votave në 30 qershor, sot pritet fitore 100%”.
“Pas fitores së opozitës me 85% të votave në 30 qershor, sot pritet fitore me 100%! Dhe thonë se gjithë pushtetet i ka Rama. Në fakt, është e kundërta, opozita ka fituar dy zgjedhjet e fundit me shumicë absolute. Dhe pastaj vjen vjehrra e të thotë “fëmijë të dashur, çohuni nga gjumi se u bëtë vonë për shkollë”. Dhe ja kështu, kështu…”, shkruan Kulluri. Ky koment i Edvin Kullurit, i bashkohet atyre të shumë të tjerëve në rrjetet sociale, që ironizuan të dielën për zgjedhjet e “13 tetorit”.
Dekreti i Ilir Metës i datës 27 qershor, për caktimin e 13 tetorit si datë për zgjedhjet lokale u bë nul. Ishte Kolegji Zgjedhor, që para se të shpallej kjo datë, ligjëroi datën 30 qershor për mbajtjen e zgjedhjeve lokale, duke hedhur poshtë dekretin e Metës, që kërkoi anulimin e kësaj date për mbajtjen e gjedhjeve. Më pas, ishin gjykatat e shkallëve të para në vend, që njohën mandatet e të zgjedhurve të rinj nga procesi i 30 qershorit.