“Shkarkimi i Hashtim Thaçit nuk është i lehtë”, u shpreh Albin Kurti në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla. Ndonëse më herët e cilësoi “tradhëtar” dhe kërkoi shkarkimin e Presidentit, Albin Kurti duket më i moderuar tashmë që erdhi në pushtet. “Presidenti i Kosovës ka një shans që të bëjë një punë të mirë e kjo është të na e japë mandatin neve, mua që të formojmë qeverinë e re. Unë shpresoj që ai ka reflektuar dhe mbi zgjedhjen e rezultateve të 6 tetorit, por ashtu siç hoqi dorë të bëhej kryeministër në vitin 2014, besoj që meqë e provoi pozitën, e sprovoi veten edhe si president, është koha që mbase të tërhiqet dhe prej aty”.
“Shkarkimi i tij nuk është i lehtë, por votimi i 6 tetorit është një fakt, një lloj konfirmimi i protestës së 29 shtatorit me parrullën: “Një popull si nënshtrohet një njeriu”, e që është protesta më e madhe në Kosovën e pas luftës drejtuar kundërshtimit të aventurave akrobacioneve personale të rrezikshme të presidentit të Kosovës”, tha Kurti.
Megjithatë, Albin Kurti është i bindur se pavarësisht përplasjeve me Thaçin, Presidenti e ka detyrim kushtetues dhënien e mandatit për krijimin e qeverisë së re. “Unë nuk i druhem fare për shkak se e di që ai dhënien e mandatit mua për formimin e qeverisë nuk e ka me qejf por e ka obligim kushtetues. Pra, nëse do të vendoste Thaçi, ai nuk do të ma jepte mua mandatin por vendos presidenti dhe e ka për detyrë të ma japë mandatin”, u shpreh Kurti.