Kurti në “Real Story”: Do rishikojmë marrëveshjen e kufirit me Malin e Zi

#NËRADAR


Albin Kurti deklaroi në “Real Story” të gazetarit Sokol Balla, se ai do të përpiqet të korrigjojë marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi. Sipas tij, pala kosovare gaboi në hartimin e marrëveshjes me Malin e Zi, duke i falur 8200 hektarë tokë shtetit fqinj. “Sa i përket marrëveshjes së demarkacionit duhet të fillojmë bisedimet direkte me Podgoricën Zyrtare. Unë jam i interesuar që të marr vesh gjithë proçesin, sepse ka ndodh një lajthitje e madhe e komisionit tonë. Nuk ka faj Mali i Zi, ka faj komisioni ynë i cili ka pranuar që të bëjë delimitim në vend të demarkimit, pra përcaktim kufiri në vend të shënjim kufiri”.

“Dhe ekziston edhe marrëveshja midis presidentit të Kosovës dhe homologut të tij malazez, e 16 shkurtit 2018, për korrigjimin e demarkimit. Me ç`rast duhet të bëhet korrigjimi në sektoret në drejtim të Qakorit dhe Lebit, pra Qafës së Qakorit dhe Kullës së Lebit. Ne nuk do të lejojmeë jo gurë, por edhe guralecë pa lëvizur në mënyrë që ta bëjmë këtë korrigjim sepse komisioni i gabuar i lajthitur i Kosovës na i ka humbur 8200 hektarë e fatkeqësisht kryeminstri e pranoi më në fund këtë gjë”, tha Kurti.


Albin Kurti tha se kjo marrëveshje do të rishikohet, ndërsa shtoi se marrëveshja u bë me premtimin se BE do të liberalizonte vizat për qytetarët e Kosovës. Por kjo gjë nuk ndodhi.

“U tha që është një ndër kriteret për liberalizimin e vizave. E humbëm tokën, si morëm vizat, shumë mirë, pra unë nuk mendoj që do të japim tokë për viza, por votimi në parlamentin e Kosovës më 21 mars të vitit të kaluar kurrë nuk do tëb bëhej i mundur po të mos ekzistonte bindja e  fuqishme që shumë shpejt pas ratfikimit, do të kemi liberalizim edhe humbëm çka ishte e jona e nuk e fituam çfarë na u premtua”.

“Ama unë dua të theksoj që trupi i përbashkët punues për korrigjimin e demarkimit do të fitojë dinamikë të re, me qeverisjen tonë, me mua si kryeministër, me komisionin shtetëror dhe të gjeturit e tij. Do të jetë shumë aktiv e nuk do të jetë i pasivizuar sikurse mandatin e kaluar në mënyrë që ta vendosim drejtësinë në vend”, tha Kurti. /Realstory.al/.




Skip to toolbar