Pas reagimit të ashpër të Fatmir Xhafaj në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për njohjen e Marsida Xhaferllarit e emëruar jashtë afateve dhe e fundit në listën e Presidentit dhe jo Arta Vorpsit e zgjedhur sipas ligjit si më e vlerësuara nga KED, ka ardhur edhe reagimi i Partisë Demokratike duke e akuzuar se ai kërkon të kap Gjykatën Kushtetuese. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi e cilësoi Dvoranin si ushtar të bindur të Fatmir Xhafaj dhe akuzon se po fusin duart për të kapur edhe drejtësinë e re. Bardhi tha se politika duhet të rrijë larg vendimmarrjeve të gjyqësorit dhe se drejtësia e re nuk bëhet me shërbëtor partiak, por me individë që respektojnë Kushtetutën. PD akuzon edhe Arta Vorpsin si shërbëtore politike që u rendit e para në listë, pas miqësisë që ka me Xhafën dhe Dvoranin, duke i dalë në mbrojtje vendimit të presidenti Meta për emërimin e Marsida Xhaferllarit.
“Sulmi i vëllait të Geron Xhafës ndaj Gjykatës Kushtetuese përse zbatoi Kushtetutën dhe jo urdhrat e Partisë është i papranueshëm dhe bie ndesh me qëllimin e Reformës në Drejtësi, që politika të rrijë larg vendimmarrjeve të gjyqësorit.
E kuptojmë që vëllai i Geronit kërkon që të ketë në Gjykatën Kushtetuese një person që betohet tek zyra e tij për shërbime partiake, por Kushtetuta është e qartë në tre pika:
1. Emërimi i 3 gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese bëhet nga Presidenti i Republikës dhe jo nga Dvorani i Partisë në KED (neni 125 i Kushtetutës).
2. Gjyqtari i emëruar që të fillojë detyrën duhen të betohet përpara Presidentit të Republikës dhe jo në zyrën e Fatmir Xhafës apo selinë e Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).
3. Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese duhet të betohet që do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë, dhe jo pushtetit popullor dhe Statutit të Partisë Socialiste (neni 129 i Kushtetutës).
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi nuk ka shpallur asnjë fitues, sepse nuk e ka këtë kompetencë (neni 149/d i Kushtetutës). Dvorani i Partisë ka bërë veprime administrative të paligjshme në zbatim të urdhrave të Partisë, por ato nuk janë vendime të organit kolegjial KED, por vendime personale të ushtarit të vëllait të Geronit në KED.
Ata që s’po lenë organ të ri të drejtësisë pa futur duart, me monovra kriminale, politike, qëllimkëqija dhe antikushtetuese, duhet të kuptojnë se zbatimi korrekt dhe sipas Kushtetutës i Reformës në Drejtësi është parakusht për ecurinë e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Drejtësia e re nuk bëhet me shërbëtor partiak, por me individë që respektojnë Kushtetutën dhe zbatojnë atë në mbrojtje të interesave të qytetarëve. Arta Vorpsi me sjelljen prej shërbëtoreje politike humbi çdo mundësi për të qenë, ligjërisht dhe moralisht, gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese. Ajo u provua se ishte e renditur e parë, jo për aftësi e profesionalizëm, por për miqësi me Fatmir Xhafën dhe ushtarët e tij në KED Ardian Dvorani e Arta Marku.
Reforma në Drejtësi duhet të zbatohet vetëm sipas Kushtetutës! Vetëm kështu drejtësia e re përmbush standardet e vendeve partnere që na ndihmuan në realizimin e saj” shkruan Bardhi.
Arta Vorpsi cilësohet si një ndër njerëzit e besuar të ish-ministrit të drejtësisë, Fatmir Xhafaj. Madje, ajo ka punuar edhe për Komisionin e kryesuar nga Xhafaj për Reformën në Drejtësi, pasi ka qenë anëtare e nëngrupit për Reformën Kushtetuese dhe Gjykatën Kushtetuese. Ndërsa në kohën e qeverisjes së mazhorancës 2001-2005, kur Xhafaj ishte ministër drejtësie, Vorpsi ka mbajtur funksionin e drejtoreshës së Studimeve dhe Botimeve në Gjykatën Kushtetuese.