Kryeministri në ikje i Kosovës, Ramush Haradinaj vendosi të shpallte ditën e 28 Nëntorit, festën e shpalljes së pavarësisë kombëtare, ditë pushimi në Kosovë. Lajmin e dha vetë kreu i ekzekutivit në Kosovë. Ai e arsyeton këtë vendim si të motivuar politikisht, nga aspekti historik dhe ai tradicional.
“Me rastin e Ditës së Flamurit, mbështetur në Ligjin për Festat Zyrtare, kam marrë vendim që 28 Nëntori, të shpallet ditë pushimi në territorin e Republikës së Kosovës, për t’i respektuar vlerat e traditës kombëtare shqiptare. Vendimi, që 28 Nëntori të jetë ditë pushimi, është i motivuar nga aspekti historik, tradicional dhe politik”, shkruan Haradinaj.
Në fakt, ky vendim i papritur i Ramush Haradinaj duket i sinkronizuar me qasjen që ka Lëvizja Vetëvendosje për këtë datë. Dega e Vetëvendosjes në Tiranë, ka paralajmëruar një marshim për “Bashkim Kombëtar” në këtë datë, që do të fillojë nga monumenti i Skënderbeut në qendër të Tiranës në drejtim të bustit të Adem Jasharit te “Rruga e Durrësit”.
Ky duket se do të jetë nga vendimet e fundit të Haradinajt si Kryeministër i Kosovës, pasi së shpejti karrigen e tij do t`ia lërë Albin Kurtit. Ndërkohë, Ramush Haradinaj nuk pranoi të jetë deputet i legjislaturës së ardhshme të Kuvendit të Kosovës, pas humbjes në zgjedhjet e 6 tetorit.