Kryeministri Edi Rama nuk komentoi dorëheqjen e kryetares së Bashkisë Durrës, Valbona Sako. I pyetur nga gazetarët në lidhje me këtë ngjarje, shefi i Qeverisë u shpre se është momenti të përcillet energji pozitive. Gjithashtu, Rama i quajti disa media si “gjeneratorët” e tmerrit, që japin debate e kronika që trembin, sipas tij, qytetarët. Megjithatë, Rama vlerësoi punën e gazetarëve të terrenit që gjatë këtyre ditëve kanë raportuar tragjedinë që preku Shqipërinë.
“Ajo që mendoj se është me rëndësi, është që në këto momente të jepni sa më shumë energji pozitive. Mos të merremi me këto histori anësore. Ju jeni heronj në terren, por ata që ju drejtojnë me telefon nga redaksitë dhe të mbledhin në darkë lloj lloj sharlatanët, pasi njerëzit janë të tmerruar”.
“Një nga gjeneratorët e tmerrit janë ekranet e debateve pa kuptim. Janë ekrane ku jepen kronika sikur në çdo shtëpi ka rënë bomba. Ndaj është misioni juaj që të thoni; nuk ka rëndësi fare nëse ka plasur apo jo muri, por rëndësi ka që; a janë prekur apo jo kolonat? Nëse nuk na ndihmoni, mos na e bëni punën të vështirë duke hedhur helm. I luajtët mëndsh njerëzit. Jo ju që jeni këtu në terren, por përmes ekraneve”, tha Rama.