SPAK “shkrin” Krimet e Rënda, ja ku transferohen prokurorët e dosjeve të bujshme

AKTUALITET


Këshilli i Lartë i Prokurorisë i dha të enjten fund zyrtarisht ekzistencës së  Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe asaj të Apelit për Krime të Rënda. Pas krijimit të SPAK (Prokurorisë së Posaçme), prokurorët që punonin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe të Apelit për Krime të Rënda, janë transferuar me detyrë në prokurori të tjera. Ish-drejtuesja e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela është caktuar përkohësisht në Prokurorinë e Shkallës së Parë në Tiranë, ndonëse ishte përfolur se do të caktohej në Durrës.

Gjithashtu, pranë kësaj prokurorie janë caktuar edhe 10 prokurorë të tjerë, mes tyre Besim Hajdarmataj, Manjola Kajana, Elisabeta Imeraj, Anton Martini, Dritan Prençi, Isa Jata dhe Arta Marku që shkon përkohësisht në Prokurorinë e Apelit Tiranë. Përparim Kulluri është transferuar në Prokurorinë e Shkallës së Parë Shkodër ndërsa Eugen Beci në Prokurorinë e Shkallës së Parë Korçë.

Ndërkohë, Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Gent Ibrahimi u shpreh gjatë mbledhjes se në 19 dhjetor do të betohen 8 anëtarët e parë të SPAK. “Më 19 dhjetor betohen 8 anëtarët e SPAK. 16 prokurorë nga Krimet transferohen në tjetër vend. Sot transferohen në rrethe prokurorët e mbetur te Krimet”, tha mes tjerash Gent Ibrahimi.

Në të njëjtën ditë kur KLP bëri transferimin e prokurorëve të ish-Prokurorisë së Krimeve të Rënda, ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë reagoi me një videomesazh. SHBA shprehej se ka investuar rreth 2 milion dollarë për ngritjen e SPAK, ndërsa paralajmëronte se “bosët e krimit” dhe zyrtarët e korruptuar nuk do të kenë asnjë shpëtim.

“Ditëve të shkuara të zyrtarëve të korruptuar dhe bosëve të krimit që ishin të paprekshëm, po u vjen fundi. Ditët e shkuara të drejtësisë selektive do të zëvendësohen nga drejtësia për të gjithë. Një strukturë e re anti korrupsion po krijohet me mbështetjen e SHBA-së, e cila do të ketë në shënjestër këta individë që ia kanë dalë që të shmangin ndjekjen penale nëpërmjet kontrollit të emërimeve dhe lidhjeve personale. Struktura e posaçme anti korrupsion dhe krimit të organizuar ose SPAK do të funksionojë së shpejti. Me t’u ngritur do të shënjestrojë korrupsionin e nivelit më të lartë”, thuhej ndër të tjera në deklaratën e SHBA.



Skip to toolbar