U shemb nga tërmeti, kryebashkiaku i Brukselit do ndërtojë shkollën e Pezës

AKTUALITET


Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philippe Close është angazhuar të rindërtojë shkollën “16 Shtatori” në Pezë. Lajmin e dha zyra e shtypit e kryebashkiakut Erion Veliaj në një deklaratë për mediat. Veliaj dhe homologu i tij nga Brukseli ishin të premten në Pezë ku së bashku shpërndanë ndihma dhe ushqime për familjet e prekura nga tërmeti.

Veliaj falenderoi kryebashkiakun e Brukselit që zgjodhi ta kalojë vizitën e tij në terren për të parë nga afër situatën që la pas tërmeti, por edhe për t’i shërbyer familjeve të prekura. “I jam shumë mirënjohës atij dhe stafit që ka ardhur nga Brukseli. Në vend që të takoheshim në zyrë, vendosëm të dalim në terren, ku kemi parë disa operacione: pamë një përpjekje fantastike të disa kuzhinierëve me famë nga SHBA-të, që po gatuajnë për të gjithë fëmijët dhe familjet në nevojë të Pezës; pastaj, patëm një vizitë aty ku kemi transferuar nxënësit e shkollës “16 Shtatori”, një hapësirë provizore ku fëmijët kanë filluar menjëherë jetën normale sepse pas tërmetit është e rëndësishme që të gjithë çunat dhe gocat të fillojnë shkollën, të dalin me 10-ta, edhe të japin sinjalin se jeta vazhdon”, tha ai.

Më tej, dy kryebashkiakët vizituan edhe disa nga shtëpitë dhe institucionet arsimore të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit. “Patëm mundësinë të shikonim shtëpinë e Pranverës, për të kuptuar dimensionin e asaj që ndodhi; pra, ne kemi humbur shkolla, kopshte e çerdhe, por kemi humbur edhe shtëpi. Por, ama ka një solidaritet jo vetëm brenda vendit, por edhe nga shumë miq, duke filluar nga Brukseli deri në SHBA, që janë këtu për të dhënë një dorë. Mezi pres që bashkë me Filipin, të planifikojmë si të rikuperojmë një nga shkollat e dëmtuara. Në të gjithë territorin e Tiranës janë 10 shkolla që kanë nevojë të ndërtohen nga e para dhe besoj se shprehja “trimi i mirë me shokë shumë” apo “trimi i mirë në ditë të vështira”, vlen sot për marrëdhënien që kemi me Brukselin dhe kryetarin fantastik të Bashkisë, Filipin”, vijoi Veliaj.

Kryetari i Bashkisë së Brukselit, Philippe Close shprehu solidaritetin e plotë me Shqipërinë në momentet e vështira që shkaktoi tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa theksoi se faza e rindërtimit është dhe një mundësi e mirë për t’i bërë gjerat më mirë dhe për t’i ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë.

“Ne solidarizohemi me popullin e Tiranës dhe rreth Tiranës, sepse nga tërmeti viktimat e para janë gjithmonë njerëzit e varfër; kanë probleme me strehimin, me shkollat dhe ajo që po bëni në këto 3 javë pas tërmetit të 26 nëntorit është vërtetë fantastike. Ju e dini se kur ndërtojmë diçka pas tërmetit, është gjithashtu një mundësi. Si kryebashkiak i Kryeqytetit Europian, kam një mesazh shumë të rëndësishëm për t’jua përcjellë: ne jemi shumë solidarë me të gjithë popullin sepse e dimë që kjo mund t’i ndodhë kujtdo, jo vetëm tërmetet, por çdo katastrofë. Mesazhi i dytë është i rëndësishëm si anëtar i Këshillit dhe anëtar i BE, që t’u dërgojmë të gjithë shqiptarëve solidaritetin e qytetarëve europianë, sepse Shqipëria është pjesë e Europës dhe kjo është shumë e rëndësishme”, tha kryebashkiaku i Brukselit.



Skip to toolbar