Humbi bashkëshortin në Thumanë, Klotilda Greku futet në shtëpi të re në Tiranë

AKTUALITET


Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Bashkisë Erion Veliaj vizituan të shtunën familjen Greku, që humbi tre anëtarë të saj nga tërmeti. Klotilda Greku, kryefamiljarja e mbijetuar e kësaj familje, humbi bashkëshortin e saj Sajmir Grekun bashkë me vjerrin dhe vjehrrën nga tërmeti i 26 nëntorit që goditi vendin. Fatmirësisht, ajo dhe vajza e saj shpëtuan nga fatkeqësia e rëndë, pasi nuk ndodhej në Thumanë natën që ra tërmeti. Tashmë, Klotilda dhe vajza e saj janë sistemuar në një banesë të re në Tiranë.

Ajo u vizitua në banesën e saj të re 2+1, nga Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, të cilët i garantuan mbështetje të plotë me gjithçka që ka nevojë. Krahas apartamentit të ri i cili është mobiluar me  çdo gjë të nevojshme dhe mbështetjes së menjëhershme financiare, po punohet për t’i lidhur vajzës një pension të posaçëm për shkollim.

“Bashkia e Tiranës është angazhuar që bashkë me qeverinë të sistemojë me banesa dhe të mbështesë financiarisht të gjithë familjet që humbën njerëzit e tyre të dashur nga Tërmeti. Nga ana tjetër , do të rindertohen të gjitha banesat e dëmtuara, ndërkohë që ato me dëmtime të pjesshme do të meremetohen. Gjer në zgjidhjen përfundimtare, Bashkia e Tiranës ka ofruar bonus qiraje 100 % për familjet e prekura nga tërmeti”, thuhet në një njoftim të Bashkisë së Tiranës.



Skip to toolbar