Përfaqësuesit e parë të Këshillit Koordinues të Diasporës, Mark Gjonaj, Brikena Muharremi, Anila Hyka Smorgrav dhe Sokrat Sinaj shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me atë që shkon keq, apo nuk shkon mirë në Shqipëri. Në studion e emisionit “Real Story” në News 24 përfaqësuesit e diasporës ngritën shqetësime të ndryshme që qëndrojnë në realitetin e sotëm shqiptar, të cilin gazetari Sokol Balla e cilësoi si “vitin më të tmerrshëm i Shqipërisë që nga 1997”.
Brikena Muharremi ngriti shqetësimin e sundimit të ligjit dhe respektimit të tij, që sjell probleme jo vetëm me drejtësinë por me çdo sektor tjetër të mundshëm. “Problem kryesor unë shoh sundimin e ligjit si në Kosovë dhe në Shqipëri. Nëse ligji dhe drejtësia nuk funksionojnë asnjë sektor nuk ecën siç duhet. Mungesa e sundimit të ligjit dhe mungesa e respektit te ligjit e shoh problemin kryesor. Kur kjo të zgjidhet atëherë do të përparojnë si Kosova dhe Shqipëria.”
Për Sokrat Sinaj problem mbetet prona dhe parlamenti shqiptar, duke u shprehur mjaft i indinjuar për veprimin e opozitës që zgjodhi ta braktisë atë. “Ajo që më skandalizon në Shqipëri është funksionimi i parlamentit shqiptar. Nuk mundet që vendi ynë të funksionojë me një parlament të tillë, i cili është institucioni më i lartë në vend. Vendimmarrja për t’u larguar, me shqetëson si qytetar, nuk jam politika. E konsideroj mendjelehtësi me pasoja të mëdha për vendin. Jam shumë i indinjuar për këtë veprim.”
Ndërsa Mark Gjonaj tha se polarizimi politik në vend është aq i theksuar sa e ka ndarë popullin përgjysmë. “Gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje është polarizimi se si e ka ndarë politika popullin përgjysmë. Kjo është katastrofe. Ne këtu nuk shohim alternative prandaj dhe ikim.”
Shkollimi dhe problemet me arsimin në vend janë shqetësimet e Anila Hyka Smorgrav, e cila tha se nëse brezat e rinj edukohen që në fillim me mendimin demokratik dhe bashkëpunimin në ekip, ndoshta nuk do të kishim njerëz kaq individualisht dhe të kapur fort pas pushtetit. “ Ajo që nuk shkon është fakti që ne atë pozitë që e marrim nuk e lëshojmë. Në Shqipëri nuk hap njeri rrugë, e mbajnë pushtetin dhe pozitën e tyre për shumë vite. Mendimi demokratik dhe bashkëpunimi në ekip mësohet në shkolla që në gjeneratat e para. Brezi i ri është individualist.” / RealStory.al