Policia e Beratit finalizoi pasditen e të dielës operacionin e koduar “Kredia”, duke goditur disa raste të mashtrimit, me qëllim përfitmin e vlerave monetare. Si pasojë e këtij operacioni, është arrestuar një person, një tjetër shpallet në kërkim dhe 4 persona procedohen në gjendje të lirë. Kanë qenë qytetarët ata që kanë denoncuar në polici rastet e mashtrimit me kreditë. Më pas, Specialistët e Hetimit të Krimit Ekonomik, kanë nisur hetimet për rastet e denoncuar. Në përfundim, është ndaluar dhe arrestuar një i ri me inicialet A.H., 22 vjeç, banues në Tiranë, ndërsa u shpall në kërkim shtetasi me inicialet E.V., banues në Berat. Ndërkohë, filloi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit F. D., F. S., D. D. dhe R. S.
Po çfarë ka ndodhur?
Policia njofton se i riu 22-vjeçar nga Tirana, në bashkëpunim me shtetasin e shpallur në kërim si dhe personat e proceduar në gjendje të lirë, nëpërmjet mashtrimit kanë përfituar një shumë prej 300 mijë lekësh të reja. Këta shtetas kishin bërë blerje fiktive në disa sbujekte, duke nënshkruar kontrata huaje me një subjekt të licensuar nga një shoqëri për “Dhënie kredie”. Ndërkohë, gjatë operacionit, thotë policia, kanë bërë kallëzime edhe dy shtetas të tjerë, të cilat gjatë muajit dhjetor 2019 dhe janar 2020 janë mashtruar nga shtetasit A.H., E.V. dhe F.D., duke u përvetësuar shumën prej 190 mijë lekësh të reja.
Në të dyja rastet e përvetësimit të shumave financiare, ato janë marrë nga subjekti i licensuar për kredidhënie. Shtetasit e akuzuar, merrnin kredi në emër të subjekteve që kanë bërë kallëzim. Të 6 personat që kanë bërë kallëzim ishin mashtruar duke firmosur letra, që sipas personave të akuzuar për mashtrim, ata nuk do të mbanin asnjë përgjegjësi dhe nuk do të kishin asnjë problem.
Mirëpo, personat e mashtruar, më pas telefonoheshin nga institucioni i kredidhënies për të shlyer këstet e krediës për paratë e marra në emër të tyre. Kjo ka qenë dhe rrethana, që ka hedhur dritë mbi mashtrimin me kreditë, duke bërë që personat e mashtruar të drejtohen në Policinë e Beratit për të bërë denoncim. Ndërkohë, materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Berat, për veprën penale ‘’Mashtrimi’’, kryer në bashkëpunim.