Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, Rei Manaj është bashkuar me Barcelonën. Sulmuesi kaloi me sukses testet mjekësore, duke nënshkruar një kontratë tre vjeçare me klubin katalanas. Ai do të aktivizohet në fillim te Barcelona B.
Ekipit të dytë të katalanasve i kushtoi 700 mijë euro. Mirëpo Barcelona duket se ka parë te Manaj një lojtar perspketive, pasi ka vendosur një klauzolë për largimin e tij që shkon 50 milionë euro. Pra, një shumë e ngjashme me atë të yjeve të ekipit të parë.
Ndërkohë, Albacete do të përfitojë dhe 2 milionë euro shtesë në varësi të performancës së Rei Manajt te Barcelona gjatë dy viteve të ardhshme.
Sulmuesi lushnjar do të mbajë numrin “22” te Barcelona B. Sulmuesit i është dhënë një shans i shkëlqyer për karrierën e tij, pasi ndonëse do të luajë në nivele të ulëta të futbollit spanjoll për momentin, ai do të jetë vazhdimisht nën mbikëqyrjen e trajnerit të ekipit të parë. Barcelona e aplikon shpesh integrimin e lojtarëve të ardhur nga ekipi i dytë për të luajtur me ekipin e parë.