Ambasada Amerikane u bën thirrje qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës gjatë protestës së sotme. Ambasada e SHBA-së i ka quajtur hedhjen e bombave molotov, gurëve dhe përplasje fizike të paligjshme dhe që nuk kanë vend në demokraci. Ambasada e përmbyll deklaratën me thirrjen e palëve që të përfshihen në dialog konstruktiv.
“Shtetet e Bashkuara respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të protestuar në mënyrë paqësore. Ju bëjmë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në protestën e sotme – si qytetarëve ashtu edhe forcave ligjzbatuese – që të përmbahen duke qëndruar larg dhunës. Nxitja e përplasjeve fizike apo hedhja e mjeteve plasëse, bombave molotov dhe gurëve, është jodemokratike dhe e paligjshme. Ata që përfshihen në akte dhune kryejnë një krim dhe duhen vënë përpara përgjegjësisë. Shtetet e Bashkuara nxisin të gjitha palët të tregojnë vetëpërmbajtje, të refuzojnë dhunën dhe të përfshihen në një dialog konstruktiv.”