Basha refuzon nga Elbasani Ramën: Kurrë qeveri të përbashkët, Rama duhet të ikë!

Më të fundit


Kreu i opozitës, Lulzim Basha, ka refuzuar nga Elbasani sërish ftesën e kryeministrit Edi Rama për dialog. Lideri demokrat vijon që të mos tërhiqet nga pozicioni dhe kushti i panegociueshëm për largimin e Edi Ramës nga posti i kryeministrit. Basha shprehet se u ka komunikuar ndërkombëtarëve gatishmërinë për të qenë pjesë e zgjidhjes politike për vendin, por me kusht largimin e Ramës.

“Mirënjohje për këtë mesazh të vendosur që ushton nga zemra gjeografike e Shqipërisë, nga Elbasani, që ushton nga qytetarët, nga të rinjtë dhe të rejat. Nuk kam mesazh më të qartë se ky, betejës së shqiptarëve për liri, sa vijnë edhe u shtohen radhët, çdo ditë e bën më të madh bashkimin tonë, se nuk ka zgjidhje politike pa largimin e Edi Ramës dhe bandës që ka marrë peng vendin. Dhe se në funksion të kësaj shqiptarët e bashkuar kanë vendosur gjithçka, shpirtin dhe vullnetin, nuk mund të ketë as liri, as zgjedhje të lira, as shporrje të bandës kriminale, pa larguar shkaktarin numër një të kësaj krize, njeriun që bëri projektin e Shqipërisë hambar droge. Tani bëhet gati që ta kthejë Shqipërinë në monizëm për të çimentuar pushtetin, por ne nuk do ta pranojmë këtë”, deklaroi Basha nga Elbasani.

Sipas tij, korrupsioni i takon vetëm një partie, por aferat nuk kanë marrë kurrë më parë këto përmasa shtazarake. “216 kontrata sekrete, qindra milionë euro që ua marrin ju, ua heqin nga goja. Kjo bandë ka vjedhur 4.6 mld euro, sa gjithë buxheti dhe shpenzimet”, u shpreh kreu i PD.

Kryedemokarti u shpreh gjithashtu se nuk do të ketë kurrë qeveri të përbashkët me Edi Ramën. Ai u bëri thirrje demokratëve që të mos dëgjojnë ato që ai i cilësoi si thashetheme për qeveri të përbashkët Rama-Basha. “Njëlloj si minjtë e zënë në çark, Rama kanë nisur.. Keni dëgjuar thashethemet që po përhap tani…nuk ka më asnjë barrierë, minjtë e ndiejnë ankthin dhe frikën dhe kanë filluar të përhapin versionet e daljes nga kriza, qeveri e përbashkët Basha-Rama dhe të tjera broçkulla si këto. Këtë betejë nuk e nisëm për betejë nuk e nisëm për pushtetin dhe karriget tona, pasi i dorëzuam. Qartë dhe prerë, kurrë, kurrë, kurrë dhe asnjëherë pazar në kurriz të shqiptarëve. Por që kjo krizë të zgjidhet vetëm në interes të shqiptarëve dhe do të thotë jo vetëm dhënia fund një parlamenti ilegjitim, largimit të Ramës dhe zgjedhjeve të lira”, deklaroi Basha.

Gjithashtu, kryedemokrati tha se nuk do të njohë asnjë akt të parlamentit aktual dhe se kur PD-ja të vijë në pushtet do i zhbëjë vendimet që ka marrë.  “Rama erdhi në pushtet me krimin. Këtu në Elbasan krimi diktoi mandatet e krimit, nuk janë deputetë të Elbasanit por të bandave të drogës. Nuk e njohim cdo akt të atij parlamenti dhe do ta zhbëjmë. Nuk i njohim aktet e një parlamenti kukull të krimit. Edhe kjo që po bëjnë për ligjin për Akademinë e Shkencave është diktaturë, duan t’u mbyllin gojën intelektualëve. Zotimi im është që nuk do të ketë pazar me të keqen se beteja do të shkojë deri në fund, deri në fitore”, u shpreh kreu i opozitës.

Në fund të fjalës së tij, Basha ftoi demokratët që të marrin pjesë ne protestën e 2 qershorit, e shtata kombëtare e opozitës së bashkuar kundër qeverisë para Kryeministrisë. “Ju ftoj në protestën madhështore të 2 qershorit. Kurrë më parë nuk ka qenë kaq i qartë kontrasti mes shumicës së shqiptarëve dhe një pakice horrash dhe kriminelësh të frikësuar. Ju ftoj të gjithë bashkë të frymëzuar nga ky bashkim” përfundoi ai. 



Skip to toolbar