Autoriteti Kombëtar i Ushqimit, në një aksion të orëve të fundit, ka bërë bllokimin e disa tonelatave produkte ushqimore në disa pika doganore të vendit. Sipas një njoftimit të vetë AKU, mësohet se nga kontrollet e kryera në pikat doganore të Morinës, Hani Hotit dhe Durrës, janë bllokuar katër ngarkes produktesh: lëngje frutash, pije energjike dhe kripë.
Kështu, AKU njofton se ka bllokuar në total rreth 23 ton kripë, e importuar nga Gjermania dhe Maqedonia, e cila do të përdorej për konsum human në vendin tonë. Sipas AKU, kjo sasi kripe e ardhur nga dy vende të ndryshme në vendin tonë, ka pasur mungesë dokumentacioni, çka ka detyruar Autoritetin Kombëtar të Ushqimit që të bëjë kthimin në vendin e orgjinës për ngarkesën.
Gjithashtu, në një tjetër kontroll të praktikës së importit, është bërë ndalimi dhe kthimi në vendin e orgjinës për një sasi prej 20.4 ton lëngje frutash që vinte nga Serbia me destinacion tregun shqiptar. Ky produkt, sipas AKU-së, kishte afat përdorimi më pak se gjysmën e jetëgjatësisë, për rrjedhojë është ndaluar të futet në vendin tonë, duke e rikthyer përsëri në vendin e orgjinës.
Në pikën kufitare të Hanit të Hotit është bërë ndalimi i një tjetër ngarkese prej 4043 kg pije energjike “Red Bull”, që importohej nga Rumania nga Bracen Distriubtion shpk. Sipas AKU-së, ky produkt kishte mangësi në dokumentacion. Pas bllokimit të ngarkesës dhe lënies së një afati kohor për plotësimin e mangësive në dokumentacion, në kushtet kur subjekti nuk paraqiti dokumentacionin e nevojshëm për të garantuar sigurinë e produktit, AKU urdhëroi “Kthimin në vendin e origjinës” të produktit.