Albi Xhunga: Ku ndryshojnë ata që na kërkojnë votën` ?

OPINION


Në këtë parafushatë elektorale debati publik është fokusuar kryesisht tek elementë normalë të një fushate në një vend normal, si programet qeverisëse, premtimet elektorale, tendencat e votuesve të matura nga sondazhe të ndryshme, profilet e kandidatëve kryesorë dhe përshtatjen e këtyre profileve në funksion të fushatës. 

Por fatkeqësisht, nëse do të konsiderojmë normal një vend ku funksionon drejtësia, ku funksionon tregu i lirë, ku funksionon meritokracia, ku funksionon konkurenca në çdo fushë të jetës, përfshirë politikën, Shqipëria nuk është një vend normal. Dhe në një vend ku mungojnë elementët e mësipërm nuk ka dhe nuk mund të ketë prosperitet. 


Shqipëria nuk është një vend normal, pasi për shkak të korrupsionit që përfshin çdo qelizë të jetës publike, ka ngërçe kudo. Nuk mund të funksionojë një treg i lirë në një ambient me korrupsionin. Janë dy elementë që e përjashtojnë njëri-tjetrin si definicion. Nëse në treg enden aktorë të preferuar nga vendimmarrësit, konkurenca ekzekutohet me gjithsej dhe ky treg nuk mund të konsiderohet më i lirë. 

Nuk është normal një vend, i cili ka si problem kryesor bllokues korrupsionin dhe i mungon një sistem drejtësie i fortë e i pavarur. Kush ka iluzione se një pushtet mund të luftojë korrupsionin pa mbështetjen e një sistemi drejtësie të fortë e të pavarur, gabohet rëndë. Një qeveri mund ta luftojë fort korrupsionin, por nëse e bën këtë duke e shmangur sistemin e drejtësisë, apo duke e pasur atë nën urdhëra, ajo nuk mund të quhet më një qeveri normale e një vendi demokratik. 

Që korrupsioni është në nivele të larta në Shqipëri, konfirmohet nga raportet ndërkombëtare, nga pretendimet e aktorëve opozitarë, nga shoqëria civile e madje edhe nga qeveria. Debati fillon kur vihen në diskutim zgjidhjet ndaj këtij kanceri shoqëror e shtetëror. Aktorët e rëndësishëm ndërkombëtarë, si SHBA e BE, të cilët kanë përvojë qindravjeçare në shtetndërtim, e dinë se asnjë qeveri nuk mund ta luftojë këtë sëmundje me mungesën e një sistemi drejtësie të fortë e të pavarur, pa u shndërruar në rastin më të mirë në një autokraci e në rastin më të keq në një diktaturë. Ndaj ata i imponuan Shqipërisë implementimin e një reforme të thellë në sistemin e drejtësisë. Kjo reformë ende nuk është instaluar plotësisht, por është në hapat e fundit. Premisat janë të mira dhe pritshmëritë janë të mëdha. 

Ka vende me ekonomi të suksesshme në Botë, të cilat aplikojnë taksimin e ulët, siç ka gjithashtu vende me ekonomi të sukseshme që aplikojnë taksimin e lartë. Në konteksin shqiptar, debati ideologjik duhet të vihet në plan të dytë. Aq më shumë kur, nëse iu hedh një sy aktorëve kryesorë politikë, diferencat ideologjike janë ndonjëherë të padallueshme. Nuk ka rëndësi nëse aplikon taksimin e lartë, duke e bërë shtetin një aktor të dorës së parë për të përkrahur shtresat më të varfra të shoqërisë me ndihma direkte financiare apo me programe për shkollimin profesional dhe përgatitjen e të rinjve të pakualifikuar për tregun e punës etj, apo nëse aplikon taksimin e ulët, për të çliruar biznesin që ky i fundit të forcohet e të gjenerojë vende pune, nëse tregu nuk është i lirë dhe paraja publike nuk menaxhohet me rigorozitet. Çdo mendje e shëndoshë nuk do ta hiqte kurrsesi elementin drejtësi nga ekuacioni i shtetndërtimit. Nuk ka asnjë qeveri të nesërme, e majtë apo e djathtë qoftë, që mund të ofrojë prosperitet për Shqipërinë e shqiptarët, nëse nuk garanton vazhdimin e reformës në sistemin e drejtësisë. Ky është elementi thelbësor që ndan sot aktorët kryesorë politike. 

Mirë apo keq, me apo pa dashjen e saj, Partia Socialiste ishte ajo forcë politike që jo vetëm inicioni dhe votoi në kuvend ndryshimet kushtetuese për implementimin e kësaj reforme, por garantoi deri sot aplikimin e saj dhe është e vetmja forcë e qënësishme politke garante për vazhdimin deri në fund të këtij procesi. Kjo shpjegon natyrisht edhe përkrahjen pothuajse të pakufizuar amerikane e ndërkombatare për maxhorancën socialiste. Pala tjetër i votoi ndryshimet kushtetuese e detyruar dhe eksponentët e lartë të saj e sulmojnë reformën sa herë që iu jepet rasti. Këtë e vërtetojnë me dhjetra deklarata publike të lidershipit opozitar, përfshirë presidentin e republikës, kundra reformës në drejtësi.

Anti-perëndimorët nuk mund të fitojnë pushtetin në Shqipëri

Nuk përcaktohet nga vetëdeklarimi i saj nëse një forcë politike është pro, apo anti-perëndimore. Këtë e përcaktojnë aktet. Dhe nëse sot partitë kryesore të opozitës shqiptare janë kundra investimit më të madh në Shqipëri në kohët moderne, që është padyshim reforma në drejtësi, ata janë rrjedhimisht edhe forca anti-perëndimore edhe forca anti-shqiptare. Anti-shqiptare nuk janë sepse janë tradhëtarë dhe urrejnë Shqipërinë, por anti-shqiptarë janë sepse e duan atë si çiflig të tyrin ku bëjnë ç’të duan, pa pasur asnjë brerje ndërgjegjeje për mungesën e prosperitetit të popullit shqiptar. 

Çdo zë i rëndësishëm perëndimor që flet sot për Shqipërinë, nuk harron të përmendë reformën në drejtësi, e cila ende nuk ka dhënë rezultate, por është në rrugën e duhur dhe do të përfundojë. Raporti i fundit i Komisionit Europian e kishte kryefjalë reformën në drejtësi. Sukseset e Shqipërisë në përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave ishin kryesisht suksese të lidhura me atë reformë dhe kushtet shtesë vënë shtetit shqiptar ishin të gjitha të lidhura me realizimin e saj. 

Përfaqësuesit e SHBA nuk flasin kurrë për Shqipërinë pa përmendur reformën në drejtësi dhe nevojën jetike për ta çuar atë deri në fund. Tek e fundit ata janë dhe garantët që na sigurojnë për suksesin e saj.

Votuesit shqiptarë nuk mund të lejojnë që vendi të kthehet në epokat e errëta ku drejtësia është nën thundrën dhe urdhërat e politikës, ku pandëshkueshmëria është kryefjalë dhe ku ministrat hajdutë e kryeministrat kriminelë dominojnë jetën publike të pashqetësuar. 

Kjo reformë që të quhet vërtet e tillë, do të duhet të rrëzojë koka nga të dy krahët e politikës. Kjo do t’u shërbejë aktorëve kryesorë politikë, maxhorancës dhe opozitës, duke i çliruar nga elementët e korruptuar. Por votuesit shqiptarë, duke parë se forcat e reja politike mund të faktorizohen por nuk kanë asnjë mundësi të fitojnë pushtetin, kanë vetëm një zgjidhje; të mbyllin hundët e të votojnë partinë socialiste. Nëse ka një shpresë që ky vend të bëhet, ky është vetëm suksesi i reformës në drejtësi. Në një vend ku drejtësia funksionon, gjithçka funksionon. Çdo skenar tjetër është i errët për Shqipërinë e për shqiptarët. 




Skip to toolbar