Mediu kundër Bashës: Duhet dialog me Ramën

AKTUALITET


Një nga aleatët historik të Partisë Demokratike dhe Sali Berishës, Fatmir Mediu, ka dalë kundër qëndrimeve të Partisë Demokratike, që nuk pranon 13 tetorin si datë zgjedhjesh lokale, pa mbajtur njëkohësisht dhe zgjedhje të përgjithshme parlamentare. Në një intervistë për A2 CNN, Fatmir Mediu ka dekluar se Partia Republikane do të rregjistrohet për të marrë pjesë në zgjedhjet e 13 tetorit.

“Padyshim që do të regjistrohemi në zgjedhjet e 13 tetorit. Unë mendoj se detyra e një force politike është dhe në mënyrë të veçantë i opozitës është respektimi i Kushtetutës. Unë nuk jam as euforik, por as naiv për të moskuptuar realitetin politik që ka Shqipëria. Por ajo që është e rëndësishme për një forcë politike, ndryshe nga institucionet e tjera që merren me diskutime të ideve politike, është që një forcë politike të ndërmarrë të gjitha hapat për të ndërtuar një raport të drejtë me qytetarët dhe për të ndryshuar një realitet që është i papranueshëm për ta”, u shpreh Fatmir Mediu.


Megjithatë, 13 tetori ka rënë si dekret, pasi Kolegji Zgjedhor ka njohur 30 qershorin si datë të ligjshme të zgjedhjeve, të cilat tashmë janë certifikuar në çdo shkallë institucionale, dhe ka nisur betimi i kryetarëve të rinj që do të drejtojnë bashkitë në katër vitet e ardhshme. Gjithsesi, Fatmir Mediu, edhe pse e di, se në kushte të tjera do të duhej që brenda datës 4 gusht të regjistrohet si garues, pasi Kodi Zgjedhor parashikon 70 ditë para datës së zgjedhjeve, shprehet se Lulzim Basha duhet të negociojë për zgjidhjen e krizës. Ndërkohë, vetë Mediu pranon se është gati të ulet në tryezë dhe me Edi Ramën.

“Kundërshtarin politik t’i nuk e zgjedh dot, ai është zgjedhur nga dikush tjetër. Mendoj se ndonjëherë është më mirë të merresh me atë që ke kundërshtar të drejtpërdrejt politik se sa me vegla të kundërshtarit politik. Kjo e kthen pastaj dialogun në mënyrë qesharake. Është shumë e rëndësishme që ne të arrijmë në një mirëkuptim, nëpërmjet negociatave që ne të zgjidhim këto probleme për të garantuar që të kemi një qeverisje tranzitore, e cila nuk do të jetë më një qeverisje e Ramës, por një qeverisje e një vullneti politik për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme, por pa Ramën Kryeministër”, tha Mediu.

Megjithatë, ndonëse Mediu shprehet se “duhen garantuar zgjedhje të lira dhe ndershme, pa Ramën Kryeministër”, deklaratat e tij për t`u ulur në tavolinë me Edi Ramën dhe për të pranuar 13 tetorin si datë për zgjedhjet lokale, tregon se brenda koalicionit opozitar nuk ka më unitet për qëndrimet në lidhje me zgjidhjen e krizës dhe dialogun me Edi Ramën.

Më herët, ka qenë Monika Kryemadhi, e cila fill pas zgjedhjeve të 30 qershorit, deklaroi se “të isha unë në vend të Lulzim Bashës do të futesha në zgjedhje me Edi Ramën”, ky qëndrim është mbajtur vazhdimisht nga LSI gjatë kësaj periudhe. Madje dhe vetë Basha e pranoi në një moment 13 tetorin “si një mundësi e mirë për zgjidhjen e krizës”, pas një takimi që pati me Ilir Metën. Por qëndrimin e kryedemokratit ndryshuan menjëherë duke “refuzuar” 13 tetorin si datë për zgjedhjet lokale, pa bashkuar me to edhe ato parlamentare.




Skip to toolbar