“Astiri”, alibi e Bashës për negociatat

AKTUALITET


Lulzim Basha reagoi mbrëmjen e të dielës për ndalimin e Klevis Balliut dhe 7 protestuesve tek “Unaza e Re”, pasi bllokuan rrugën. Kreu i Partisë Demokratike e nis reagimin e tij, duke u shprehur se java e ardhshme do të jetë vendimtare për Shqipërinë, ku do të vendoset, sipas tij, nëse vendi do të shkojë përpara, apo do mbetet në vend. “Kjo është javë vendimtare për të ardhmen e Shqipërisë, kur do të vendoset nëse do të shkojmë përpara drejt Europës apo do të mbetemi ngecur në marshin indietro”.

Më tej, sipas Lulzim Bashës ngjarje si ajo e Unazës së Re, tregojnë përkushtimin e Edi Ramës për vlerat Europiane. “Regjimi i Ramës vendosi ta tregojë sa i përkushtuar është ndaj vlerave Europiane të lirisë së shprehjes dhe sundimit të ligjit, duke arrestuar dhunshëm protestues paqësorë”. Në fund, sipas Kryedemokratit, nëse nuk do të ketë lajme të mira nga Brukseli, ngjarje si kjo e së dielës do të jenë shkaku.


 “Nëse lajmet nga Brukseli janë negative, askush mos ta vërë në dyshim, ngjarje si kjo e sotmja janë shkaku. Por ne nuk do ti lejojmë të na mbyllin gojën e të na mbajnë peng, beteja do të vazhdojë pareshtur drejt destinit tonë: Shqipërisë së zhvilluar, të lirë dhe Europiane”, shkruan Basha. Kreu i PD-së paralajmëron se opozita do ta ketë alibinë gati nëse BE nuk do t`i thotë “Po” Shqipërisë për negociatat.

Ndërkohë, reagimit të Lulzim Bashës, i është bashkuar dhe Petrit Vasili. Nënkryetari i LSI shpreh mbështetjen për protestuesit e banorëve të “Astirit” që sipas tij, janë “heronjtë” anti-diktaturë. “Mbështetje deri në fund, mbështetje politike dhe njerëzore për heronjtë anti-diktaturë të Unazës së Re. Bedeli i bablokut në Ministrinë e Brendshme, Lleshaj, zgjedh përfundimisht të jetë një armik i shqiptarëve të thjeshtë të Unazës së Re”.

“Asnjë harresë, asnjë tolerancë, asnjë keqardhje nuk do të ketë kurrë për ata si Lleshaj, që urrejtshëm vendosën kundër qytetarëve të thjeshtë. Këta të pacipë dhe të urryer arrijnë deri aty sa të lexojnë paturpësisht si komunikata të tyre idiotësirat e kriminalizuara që ju dikton fjalë për fjalë Babloku i fshehur. Ta kenë të qartë t`i shesë si një kg fiq këta budallenj dhe do tu lërë pas për gjithë jetën urrejtjen pa kthim të popullit”, shkruan Vasili.




Skip to toolbar