Atentati në Vlorë, autori qëlloi me 15 plumba. Shoqërohen 10 persona

AKTUALITET


Nikollaq Çepaj, 36-vjeç, u qëllua me 15 plumba, ku 5 prej të cilëve e kanë prekur në trup. Kjo vërtetohet nga gëzhojat e gjetura në skenën e ngjarjes nga ekspertiza. 36-vjeçari është dërguar në spitalin e Traumës në Tiranë, pasi një plumb e ka kapur në pjesën e kokës dhe ndodhet në gjendje kritike.

Atentati ndaj tij ndodhi pasditen e së shtunës në lagjen “Bashkimi” të Vlorës, në një lokal ku ndodhej bashku me kunatin e tij Ronald Çepaj, 27 vjeç. Nga sulmi me armë mbeti i plagosur edhe Rolandi, i cili mori dy plumba në të njëjtën këmbë dhe ndodhet jashtë rreziku për jetën në spitalin e Vlorës.


Nikollaq Çepaj sapo kishte dalë nga burgu dhe mendohet se sulmi ndaj tij të jetë për hakmarrje. Policia ka shoqëruar 10 persona në lidhje me ngjarjen, shumica dëshmitarë gjatë sulmit në lokal.

Çepaj ndodhej i lirë prej 3 ditësh, pas lirimit nga burgu, ku ishte dënuar në qershor të 2018 për plagosjen me armë zjarri të shtetasit Eraldo Lazaj, brenda një lokali, në lagjen “Pavarësia”, Vlorë.

Autorit i sulmit ka hyrë në lokal dhe ka qëlluar e më pas është larguar. E gjitha ngjarja ka ndodhur në rreth  30 sekonda dhe sipas dëshmitarëve autori ishte i pamaskuar, me mjekër dhe kapele. Autori u largua me shpejtësi me një makinë tip ‘Benz’, që u gjet dy orë më vonë e djegur në aksin e vjetër Vlorë-Fier me kallashnikovin e shkrumbuar brenda.  




Skip to toolbar