Guardiola fiton trofeun personal, tani pret titullin në Premier League!

Manchester City po lufton për të fituar titullin kampion në Angli, duke u ngushëlluar për skualifikimin nga Champions League.

Dhe në fakt, lufta në Premier League, mes Cityt dhe Liverpool, ka më shumë gjasa që të përfundojë me fitoren e skuadrës së Guardiolës.

Ky i fundit duket se e ka nisur mbarë fundin e kampionatit, pasi është votuar si “Trajneri i muajit prill” në Premier League.

Kështu, pas këtij suksesi personal, Guardiola do të synonë të arrijë suksesin me ekipin e tij, duke mbrojtur tiullin në Premier League javën e ardhshme.

E bujshme: Fiorentina në sulm për Gjimshitin, por mbrojtësi kushton…

Fiorentina interesohet për qendërmbrojtësin shqiptar, Berat Gjimshiti. Ky lajm raportohet nga mediat pranë klubit të Fiorentinës, të cilat pohojnë se klubi pritet të kontaktojë Atalantën për shqiptarin.

Futbollisti i kombëtares shqiptare është duke bërë një sezon të shkëlqyer me Atalantën në Serinë A, teksa bergamezët janë duke realizuar ëndrrën për pjesëmarrjen në Champions League sezonin e ardhshëm.

Gjimshiti është kthyer në shtyllë kryesore në skemën me tre mbrojtësa në qendër të trajnerit Gasperini, duke i dhënë siguri skuadrës së Atalantës në prapavijë. Megjithatë, ai këtë sezon numëron dhe dy gola të shënuar ndaj Interit dhe Lazios, duke i rritur kreditet e tij.

Fiorentina nuk është ekipi i vetëm që interesohet për futbollistin shqiptar, pasi Zenit dhe klube të tjera europiane kanë shfaqur interes.

Por ky transefrim është në mos i pamundur i vështirë, pasi Gjimshiti ka rinovuar me Atalantën dhe klubet e tjera për të prishur kontratën do të duhet të derdhin mbi 20 milionë euro për shqiptarin.

Ky është vlerësimi që i bënte pak ditë më parë Skay Sport kartonit të Gjimshitit, teksa një pengesë tjetër mund të jetë fakti që mbrojtësi shqiptar të llogaritet si pjesë e planit Champions për sezonin e ardhshëm.

Sherri Gattuso-Bakayoko, Leonardo: Milani mbi të gjithë, fajtori ndëshkohet!

Drejtori Sportiv i Milanit, Leonardo ka folur për mikronin e Skay Sport, pas fitores së ekipit të tij ndaj Bologna. Ai ka komentuar disa çështje, teksa vëmendja kryesore është përqëndruar te incidenti ndodhur në stolin e Milanit mes Bakayoks dhe trajnerit Gattuso.

“Episodet pas derbit dhe mosmarrëveshjet Gattuso-Bakayoko? Ne flasim pak, besojmë se nuk mund të jemi gjithmonë gjyqtarë në çdo situatë. Kanë ndodhur shumë gjëra, që janë zgjidhur brenda familjes nga Gazidisi, unë, Maldini dhe Gattuso. Këto janë gjëra që zgjidhen brenda klubit pa u bërë publike”, ka thënë fillimisht Leonardo.

“Konfirmimi Gattusos? Nuk e ka thënë askush që ai nuk do të jetë trajner. Kemi qenë gjithmonë shumë të qartë me të. Lodhja vjen për të gjithë. Ajo që ka përjetuar Rino nuk ka qenë e kehtë: ai ka përjetuar ndryshimin e pronësisë së klubit dhe ndryshimin e ideve. Ai duhet të përshtatej. Ka pasur momente të lumtura dhe jo të lumtura, por që priteshin”, është shprehur drejtori sportiv i Milanit.

“Gazidisi na qëndron afër, por ai erdhi në nëntor. Milani ka marrë shumë pikë nga janari deri në mars, pastaj kanë ardhur problemet dhe rastet Kessie-Biglia, Bakayoko etj. Ne kemi qenë shumë të qartë me ta, madje edhe rasti i sotëm është diskutuar dhe do të arrijmë ta zgjidhim brenda për brenda. Sjelljet e Bakayoko-s? Nuk duam të bëjmë një gjykim publik”.

“Bakayoko ka shumë gjëra pozitive si djalë. Por nëse ai bën një gabim, paguan si gjithë të tjerët. Këto janë situata të sqaruara; ata e dinë se çfarë mendojmë, sepse Milani nuk mund të preket. Ne si njerëz kalojmë por Milani mbetet, klubi duhet të mbrohet, sepse gjithmonë do të jetë këtu”, ka përfunduar Leonardo.

Në pranga për tjetërsim pronash, ish kreu i komunës Kashar dhe 4 të tjerë

5 persona janë arrestuar nga policia e Tiranës me akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe tjetërsimit të pronave. Mes tyre është edhe ish kryetari i komunës së Kasharit Besnik Fuçia dhe ish-Përgjegjësi i Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Jurgen Memisha.

Arrestimi i tyre erdhi pas kallëzimit të bërë në prokurori nga ndërtuesi Arben Petriti. Ai kishte rënë dakord për ndërtimin e dy pallateve bashkë me ndërtuesin tjetër Stefan Caushi, me ndarjen e pronësisë 50% me 50%. Por pronësinë e dy pallateve në fjalë e ka përfituar vetëm ndërtuesi Stefan Caushi, pas falsifikimeve dhe tjetërsimeve që u janë bërë dokumentave të pronësisë.

Pas hetimeve policia ka arrestuar 5 persona. Konkretisht në pranga kanë rënë ish-kreu i Komunës së Kasharit, Besnik Fuçia, ish-Përgjegjësit të Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Jurgen Memisha, ndërtuesi Stefan Caushi, Vjollca Pani, Sekretare e Zyrës së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit si dhe inxhinierja, Miranda Dyrmisha, Kolaudatore.

Grup hetimi shqiptar për shpërthimin, nisen drejt Letonisë

Ministria e Mbrojtjes ka ngritur me urgjencë një grupi hetimi, Task-Force, për shpërthimin e ndodhur dje në Letoni ku humbi jetën ushtarakja shqiptare  Zarife Hasanaj dhe u plagosën dy ushtarakë të tjerë.

Task-Forca hetimore shqiptare ka në përbërje përfaqësues nga Agjencia e Inteligjences dhe Sigurisë se Mbrojtjes, Policia Ushtarake dhe Drejtoria e Inspektimit në Ministrinë e Mbrojtjes. Ajo do të punoje për rrethanat e ngjarjes, mbledhjen e provave së bashku me hetuesit letonezë.

Drejt Letonisë do të udhëtoje edhe ministrja Olta Xhaçka e cila ka ndërprerë vizitën zyrtare në Itali ku do të takohej me kryeministrin, Juseppe Conte dhe homologen italiane Elisabetta Trenta.

Mos harroni, sot dalin përgjigjet e Lotarisë Amerikane

Nëse keni aplikuar për Lotarinë Amerikane, mos harroni, sot dalin përgjigjet.

Ambasada njofton se duke nisur nga ora 18.00 ju mund të kontrolloni në linkun:  https://dvlottery.state.gov/ nëse jeni përzgjedhur. Nëse faqja e internetit është e ngarkuar, mos u shqetësoni, kontrollojeni më vonë. Nëse rezultoni të përzgjedhur [You are selected], atëherë ju duhet të plotësoni formularin DS-260 brenda disa javësh.

Llullaku shënon golin e nderit në humbjen e thellë të Astra-s (video)

Azdren Llullaku ka shënuar 8 gola dhe ka asituar 12 të tjerë në të gjitha garat në Rumani këtë sezon me Astran, ekip me të cilin aktovizohet prej fillimit të këtij sezoni.

Golin e radhês sulmuesi i Kombëtares shqiptare e ka shënuar mbrëmjen e së hënës në kampionat, në takimin kundër CFR Cluj, që Astra e humbi me rezultatin 1-5 në shtëpinë e saj.

Sulmuesi kuqezi u fut si zëvendësues në pjesën e dytë, teksa pak minuta më pas ai shënoi nga pika e bardhë e penalltisë, duke shkurtuar përkohësisht shifrat në 1-2, megjithëse miqtë realizuan dhe tre gola të tjerë më vonë.

Gjithësesi, Astra e ka humbur prej kohësh mundësinë e arritjes së Europa League nga kampionati, ndaj e vetmja mundësi mbetet Kupa e Rumanisë, ku ekipi i futbollistit shqiptar do të përballet në finale me Vitorul.

Kompany i jep fitoren dhe e afron City-n me titullin (video)

Ndeshja e fundit e Premier League do të vendos dhe fatet e titullit kampion për këtë sezon, megjithëse, Manchester City duket gjithmonë e më pranë fitores së kampionatit.

Të besuarit e Pep Guardiolës kanë fituar ndeshjen e fundit në kampionat ndaj Leicester me rezultatin 1-0, duke marrë tre pikë që e rikthejnë Cityn në vendin e parë të renditjes me një pikë më shumë se Liverpool.

Një gol i Vincent Kompany e fut atë në historinë e Manchester Cityt, pasi nëse ndeshja do ishte mbyllur në barazim gjërat komplikoheshin për “Qytetarët”.

Futbollisti belg ka realizuar një gol të bukur nga 25 metra, duke i dhënë Cityt golin e avantazhit dhe të fitores. Ndërsa për vetë Kompany kjo ishte goditja e parë e tij nga distanca pas më shumë se gjashtë vjetësh.

https://youtu.be/y9V_HA32HXQ

Soreca: Është koha që partitë të gjejnë kompromisin

Në një intervistë për Deutsche Wellen, Ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca flet për fokusin e Javës Evropiane, procesin e reformës në drejtësi, krizën politike si edhe perspektivën e hapjes së negociatave të anëtarësimit BE-Shqipëri.

DW: Z. Ambasador, nisët Javën e Evropës 2019 dhe slogani i saj është “Fuqia e Rinisë”. Pse kjo zgjedhje sivjet?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Mendoj se nuk kishte zgjedhje tjetër të mundshme, në një vend ku 40% e popullsisë është më e re se 30 vjeç. Të rinjtë janë të pranishëm, të rinjtë janë e ardhmja e vendit dhe ata janë gjithashtu qytetarë të ardhshëm të Bashkimit Evropian. Dhe ata po bëjnë thirrje që të kontribuojnë në hartimin e politikave, por gjithashtu për të pasur nevojat themelore, prandaj mendoj se është detyra jonë, para së gjithash e autoriteteve shqiptare, por gjithashtu edhe e BE-së që të mos e lejojmë këtë thirrje të bëhet një thirrje e humbur.

DW: Gjithsesi ka një numër në rritje të të rinjve që duan të largohen nga Shqipëria për disa arsye. Cilat janë mënyrat më të mira për të ndërhyrë dhe për ta parandaluar këtë dukuri?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Ka masa që duhet të ndërmerren në periudhën afatgjatë, afatmesme dhe afatshkurtër. Natyrisht që nuk do t’i rendis të gjitha, por punësimi dhe arsimi është për të rinjtë nevoja më e rëndësishme në programin afatgjatë, por ata kanë nevojë për këtë tani, për këtë arsye ne duhet të vemë në dispozicion të tyre infrastrukturën dhe fondet e nevojshme. Ne mund të ndihmojmë, por kjo është kryesisht një nevojë shqiptare. Pika tjetër është, dhe dua që me të vërtetë ta theksoj, të rinjtë kërkojnë të dëgjohen, duan të marrin pjesë, duan të përfshihen. Dhe kjo është e vetmja mënyrë që ata të jenë pjesë e sistemit shqiptar dhe për këtë arsye të mos largohen, sepse vetëm nëse kanë një punë, por edhe nëse dëgjohen nga institucionet publike ata ndjehen pjesë e asaj ku ata tashmë janë pjesë. Për ndonjë arsye nuk ka hapësirë për dialog mes tyre dhe sistemit shqiptar dhe Java e Evropës ka për objektiv krijimin e këtij dialogu. Tani është një dialog për shkëmbimin e ideve, por një nga rezultatet që ne dëshirojmë të kemi nga Java është krijimi i një dialogu të strukturuar dhe lejimi i të rinjve dhe fëmijëve që janë kaq të angazhuar, kaq të zgjuar, të marrin pjesë në hartimin e politikave, të shprehin idetë e tyre dhe pastaj të jenë pjesë e përhershme e Shqipërisë plotësisht dhe kjo me siguri do t’i ndihmojë ata të qëndrojnë aty ku e kanë vendin.

DW: Ju paraqitët një sondazh mbi perceptimin e qytetarëve shqiptarë lidhur me Bashkimin Evropian në Shqipëri. Cilat janë gjetjet që janë më të rëndësishme në pikëpamjen tuaj?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Ne jemi shumë të kënaqur të shohim se populli shqiptar ende është shumë pranë Bashkimit Evropian. Pothuajse 93% e qytetarëve shqiptarë, siç tregohet në sondazh, beson se anëtarësimi në BE është objektivi i tyre më i rëndësishëm. 79% e tyre gjithashtu besojnë se reforma e drejtësisë është gjëja e duhur për të bërë. Dhe vetëm 13% e qytetarëve shqiptarë besojnë se reforma e drejtësisë nuk po shkon në drejtimin e duhur. Dhe mendoj se kjo është një çështje e rëndësishme, reforma e drejtësisë ka qenë një nga reformat më të rëndësishme të ndërmarra nga Shqipëria. Duhet kohë, është një reformë gjigante, po ecën në mënyrë të qëndrueshme.

DW: Por ka një vakuum të madh në sistemin gjyqësor. Për shembull, një Gjykatë Kushtetuese që nuk funksionon. Si mund të mbështesë Bashkimi Europian për të normalizuar situatën?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Po diskutoja me Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi javën e kaluar dhe ai më tha se e ka finalizuar listën e kandidatëve për t’ia dorëzuar Presidentit dhe pastaj Parlamentit për anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Shpresojmë se në muajt e ardhshëm Gjykata Kushtetuese do të rifillojë. Jam plotësisht i vetëdijshëm për ndikimin që kjo periudhë ka pasur në jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë dhe ata kanë të drejtë, por në fakt 79% e tyre ende mbështesin reformën e drejtësisë dhe na tregojnë se sa e rëndësishme është ajo për qytetarët shqiptarë. Elementi përfundimtar që dua të shoh nga sondazhi është fakti se qytetarët shqiptarë duan që ne të kujdesemi më shumë për faktorët ekonomikë dhe socialë. Këto janë elemente që nuk janë medoemos në agjendën e diskutimit politik, por këto janë nevojat e përditshme të shqiptarëve dhe ata po i bëjnë thirrje politikës dhe rrjedhimisht edhe bashkësisë ndërkombëtare që të kujdesen edhe më shumë për anën ekonomike të jetës. Dhe ne jemi shumë të kënaqur që programi ynë, që do ta zbatojmë dhe që po e zbatojmë tashmë, përqendrohet aq shumë tek përfshirja sociale dhe zhvillimi ekonomik.

DW: Por z. Ambasador, ka një perceptim se reforma gjyqësore po ecën shumë ngadalë dhe askush nuk po shkon në burg. Kur do t’i ndjejnë qytetarët shqiptarë efektet e kësaj reforme?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Dy Këshillat janë ngritur, 130 prokurorë dhe gjyqtarë kanë kaluar përmes procesit të vetingut, – 25 kandidatë të SPAK-ut do të zgjidhen tani, pritet që anëtarët e Gjykatës Kushtetuese të zgjidhen së shpejti, 53 gjyqtarë të rinj janë zgjedhur javën e kaluar nga Shkolla e Magjistraturës. Pra, reforma e drejtësisë është duke ecur përpara, është e pakthyeshme. Së shpejti do të kalojmë kthesën ku reforma e drejtësisë do të bëhet një fakt i përditshëm për qytetarët shqiptarë. Kjo është shpresa jonë dhe mendoj besimi ynë.

DW: Pavarësisht disa reformave të ndërmarra, procesi i hapjes së negociatave me BE-në ka një shtyrje për në muajin shtator. A ka ndikuar kriza politike në këtë shtyrje?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Shqipëria duhet të besojë në atë që bëri gjatë vitit të kaluar. Komisioni Evropian do të nxjerrë një raport në fund të këtij muaji dhe më pas Këshilli – ju e dini dallimin mes Komisionit dhe Këshillit – do të marrë një vendim jo vetëm për përmbajtjen, por edhe për afatin kohor. Dhe kjo varet tërësisht nga Presidenca Rumune e Këshillit. Kam dëgjuar ashtu si dhe ju, se ka disa shtete anëtare që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për të vlerësuar raport-progresin e Komisionit Evropian duke pasur parasysh se ka vetëm tri javë kohë ndërmjet miratimit të raportit dhe vendimit të Këshillit. Por kjo ende nuk është vendosur, ndaj derisa të vendoset i ftoj autoritetet shqiptare që të vazhdojnë të përqendrohen në këtë afat. Nëse ky afat do të shtyhet për më vonë këtë vit, shpresoj vërtet që qeveria shqiptare ta përdorë mirë këtë kohë. Dhe në muajt e ardhshëm SPAK-u do të funksionojë, Gjykata Kushtetuese do të rikthehet dhe ndoshta do të kemi edhe një zbatim të plotë të rekomandimeve të OSBE/ ODIHR mbi ligjin zgjedhor.

DW: Z.Ambasador, cili është mesazhi juaj për qytetarët shqiptarë dhe partitë politike shqiptare, në këtë situatë që po kalon Shqipëria?

Ambasadori i BE Luigi Soreca: Sigurisht që kemi luajtur një rol në këtë vend dhe ne vazhdojmë të luajmë një rol të rëndësishëm. Siç thashë më parë, ne kemi një mandat të fortë nga qytetarët shqiptarë, 93% prej të cilëve duan të hyjnë në Bashkimin Evropian, por gjithashtu edhe një përgjegjësi të fortë. Dhe tani është koha për ne që të japim rezultate, por është gjithashtu koha që partitë politike të këtij vendi të gjejnë një kompromis. Kultura e kompromisit nuk është medoemos tipike për këtë vend; ajo duhet të bëhet një moment ku takohen interesat. Gjithkush duhet të bëjë një hap përpara. Ka një urë diku dhe unë jam i sigurt, se ekziston një mënyrë për ta kaluar këtë urë dhe për të siguruar që të gjendet dialogu. Kjo është në interes të shtetasve shqiptarë që duan që ky vend të ecë përpara.

Milan fiton me vuajtje, ka shpresë për Champions-in (video)

Rikthehet shpresa për arritjen e vendit të katërt në Serinë A nga Milan. Skuadra e Genaro Gattusos ka mundur në shtëpi Bologna-n me rezultatin 2-1, duke rimarrë vendin e pestë në renditje.

Një takim dinamik dhe plot tension, me arbitrin që dha tre kartona të kuq gjatë ndeshjes dhe tensionit të pakutpimtë mes trajnerit të Milanit dhe futbollistit Bakayoko.

Ky i fundit refuzoi të futej në fushën e lojës, duke i thënë Gattusos se nuk ishte gati, ndërsa tekniku i “Rosonerëve”, përdori dhe fjalë të rënda për lojtarin.

Goli i parë i takimit erdhi në minutën e 37′ me Suson që kaloi të tijët në avantazh. Ndërsa Borini dk të realizonte në minutën e 37′, duke dyfishuar rezultatin për kuqezinjtë.

Bologna rifutet në lojë me golin e Destro-s, i cili ka luajtur te Milan para disa sezoneve. Minutat e fundit ishin me emocione, pasi Milan po luante me një lojtar më pak pas të kuqit të Paqueta, por rezultati mbeti i pandryshuar.

Edhe Bologna e mbylli ndeshjen me dy lojtarë më pak pas të kuqëve të Sansone dhe Dijks në kohën shtesë.

Skip to toolbar