Hiqeshin si juristë dhe mashtronin njerëzit. Në pranga dy persona

Policia e Tiranës ka arrestuar dy persona në kuadër të operacionit të koduar “Juristët e rremë”.

Ata  prezantoheshin si juristë të një institucioni të rëndësishëm kushtetues shqiptar dhe premtonin dhënien e licensës për ushtrim të aktivitetit të mësimdhënies.

Në pranga kanë rënë M. F., 48 vjeçe, banuese në Tiranë, e dënuar më parë për veprën penale të mashtrimit si dhe një djalë 24-vjeçar me inicialet N.Sh, banues në Tiranë. Ata u arrestuan në flagrancë nga policia në momentin që do takoheshin me disa persona të mashtruar për t’i marrë lekët.

Policia njofton se gjatë momentit të arrestimit, ata kanë bërë rezistencë dhe kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë.

Të dy personat në fjalë akuzohen për veprat penale “Mashtrimi”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Përvetësimi i titujve apo i detyrës shtetërore”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Kundërshtimi i punonjësit të Policisë”.

U hoq se kishte humbur, në fakt ishte një kriminel

Ditët e djeshme një lajm tronditës qarkulloi në mediat e të gjithë botës, ku thuhej se një fëmijë mund të ishte rigjetur pas 7 vitesh i humbur.

Personi i shfaqur si një 14 vjeçar iu drejtua policisë me historinë se ishte fëmija Timmothy Pitzen dhe prej 7 vitesh ai ishte rrëmbyer e torturuar nga dy persona.

Mirëpo pas analizave të ADN-së dhe verifikimeve të policisë u vërtetua që në fakt “14 vjeçari” ishte 24 vjeçari Brian Michael Rini, një person me rekorde kriminale dhe histori të gjatë të mashtrimit të policisë.

24 vjeçari ka një histori të gjatë kriminale duke përfshirë akuza për vjedhje, vandalizëm dhe duke i dhënë informacione mashtruese policisë. Ai është liruar nga një burg në Ohio për vjedhje, vetëm pak javë më parë, para se të shpikte historinë e tij të re të pretendimit se ishte Timmothy i vogël.

Familjarët e fëmijës u shfaqën të shkatërruar nga ky lajm pasi patën shpresa se më në fund gjetën Timmothin e vogël, që tashmë do të festonte ditëlindjen e tij të 14-të.

“Është shkatërruese. Është sikur të ripërtërihemi brenda një dite dhe ditën tjetër të vuajmë të njëjtën dhimbje si në fillim. Babai i Timmothy-t po shkatërrohet edhe një herë.”- kanë thënë familjarët.

Timmothy u zhduk më 11 maj 2011, pasi u mor nga shkolla nga e ëma. Mirëpo ajo u gjet disa ditë më vonë në një dhomë moteli ku kishte bërë vetëvrasje dhe kishte lënë një shënim duke thënë se djali ishte i sigurt por nuk do të gjendej asnjëherë.

Ish gruaja e Bezos, miliardere pas divorcit

35 miliard dollarë. Kjo është shifra që është dakordësuar për divorcin mes Jeff Bezos i cilësuar si njeriu më i pasur në botë dhe bashkëshortes së tij MacKenzie.

Jeff Bezos është pronar i gjigantit të shitjeve online “Amazon”, ndërkohë që bashkëshortja e tij MacKenzie sipas marrëveshjes së divorcit, do të ruajë pjesën e saj të aksioneve prej 4 për qind në kompani. Por ajo  duhet të heqë dorë nga interesat e saj në gazetën “Washington Post” dhe firmën e udhëtimeve në hapësirë të Bezosit, “Blue Origin”.

Ka qenë vetë MacKenzie që ka bërë publike arritjen e marrëveshjes së divorcit përmes një twitteri duke shkruar se ndihej “mirënjohëse që ka përfunduar procesin e zgjidhjes së martesës me Jeffin, me mbështetjen e secilit prej tyre”.

Çifti në fjalë, prindër të 4 fëmijëve, ka qenë bashkë që përpara se Bezos të themelonte “Amazon” në vitin 1994, ndërsa MacKenzie ishte një ndër pjesëtarët e parë të stafit të firmës “online”.

70-vjetori i NATO-s, sfidat e së ardhmes: Rusia dhe terrorizmi

Në Uashington është zhvilluar Ministeriali i Jashtëm i NATO-s, me rastin e 70 vjetorit të themelimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut ku i pranishëm nga Shqipëria ka qenë Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Aktiviteti shënoi festimin e 7 dekadave paqe dhe sigurie për afro 1 miliardë njerëz të hapësirës Euro-Atlantike, si dhe një mundësi për të parë të ardhmen sëbashku.

Ministria e Jashtme e Shqipërisë përmes një njoftimi për mediat bën të ditur se diskutimet e ministerialit u fokusuan në disa çështje: si marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë, rolin e NATO-s në luftën kundër terrorizmit, si dhe angazhimet e Aleatëve për shpenzimet në fushën e mbrojtjes.

Ministrat shprehën shqetësimin për  e Rusisë, përfshirë edhe veprimet agresive ndaj Ukrainës dhe sekuestrimin e anijeve dhe ekuipazheve të saj në detin Azov. Ministrat shprehën shqetësimin për zhvillimin dhe vendosjen nga Rusia të armëve që janë në shkelje të traktatit të raketave me rreze të mesme veprimi INF. Në takimin mbi luftën kundër terrorizmit ministrat e jashtëm diskutuan gjithashtu mbi kontributet e mëtejshme të Aleancës në luftën kundër terrorizmit, me fokus të veçantë Afganistanin, Irakun dhe kontributet e pjesëmarrjes në kualicionin global për mposhtjen e ISIS.

Ndërsa Ministri në Detyrë Cakaj, duke iu referuar 10 vjetorit të Shqipërisë në Aleancë nënvizoi rëndësinë e zgjerimit të Aleancës dhe kontributit që ka sjellë në rritjen e sigurisë dhe stabilitetit në hapësirën Euro-Atlantike, veçanërisht ne Ballkanin Perendimor. Ai vuri theks të veçantë në vazhdimin e mbështetjes së aspiratave Euro-Atlantike të rajonit dhe mbështetjes më konkrete në procesin e integrimit Evropian. Cakaj nënvizoi rëndësinë që Aleanca të vazhdojë t’i kushtojë vëmendje të posaçme këtij rajoni.

Rome, dhune ndaj Romëve. Nisin hetimet!

Kryetarja e Bashkisë së Romës ka bërë thirrje për nisjen e hetimeve, pas skenave të rënda që u publikuan të martën, ku një grup i komunitetit Rom u dhunua teksa po transferoheshin në një prej godinave që qeveria ka krijuar për ta. 

60 pjesëtarë të komunitetit Rom, shumica gra dhe fëmijë, ishin pothuajse gati për tu strehuar përkohësisht në qendrën në fjalë, por protestuesit bllokuan hyrjen e godinës, dogjën automjetet aty pranë dhe shkatërruan rezervat ushqimore për familjet Rome. 

“Kam qëndruar duke punuar gjatë natës përtë kapërcyer situatën e cila kishte dalë jashtë kontrollit. Zyra e Prokurorit të Romës ka hapur një investigim për dhunë raciale” – deklaroi kryebashkiakja e Romës. 

Ndërsa dënoi ngjarjen në fjalë, Zëvendëskreyministri i Italisë dhe Ministër i Brendshëm Mateo Salvini i qëndroi deklaratave të tij të mëparashme përmes të cilave ka kërkuar mbylljen e të gjithë kampeve për komunitetin Rom në vend. 

Komuniteti Rom në Itali numëron rreth 150,000 pjesëtarë, shumica prej të cilëve janë shtetas italiane. 

KFOR-i qetëson serbët për ushtarët shqiptarë në Mitrovicë

Forca shumëkombëshe e KFOR-it në Kosovë, ka dhënë një deklaratë për mediat pas cilësimit të ushtarëve shqiptarë në Mitrovicë si provokacion nga Serbia. KFOR-i tha se situata në veri të Kosovës është e qetë dhe nuk ka asnjë shenjë për trazira apo dhunë të mundshme.

“Pavarësisht nga thirrjet e shumta për mospërhapje të spekulimeve të papërgjegjshme, për fat të keq thashethemet e fabrikuara vazhdojnë të qarkullojnë nëpër media dhe shkaktojnë shqetësime të pabaza tek popullata. KFOR-i konfirmon se gjendja në veri, si dhe në mbarë Kosovën, është absolutisht nën kontroll dhe nuk ka asnjë shenjë apo dëshmi për trazira apo dhunë të mundshme. Prania e 4 ushtarëve të Shqipërisë në kuadër të KFOR-it nuk është provokim, por është një aktivitet i përbashkët i NATO-së. Prania e 4 oficerëve shqiptarë nuk duhet ta habisë askënd pasi Shqipëria është anëtare e NATO-së tani e 10 vjet. Për më tepër, duhet të dihet se Shqipëria gjithashtu kontribuon në misionin e KFOR-it”- thuhet në deklaratë.

Debati i nxehtë për Brexit ndërpritet nga përmbytja… e sallës

Në një moment ku parlamenti britanik ziente në lidhje me marrëveshjen e Brexit, tavani i Dhomës së Përfaqësuesve ka nisur të pikojë, duke i detyruar të gjithë të pranishmit të dilnin nga salla.

Nënkryetari i parlamentit britanik, Lindsay Hoyle njoftoi se ishte i detyruar të pezullonte seancën pasi uji filloi të binde ngado. Përmbytja erdhi nga kuzhina e një restoranti në katin e tretë të Pallatit të Westminsterit .

Zyra e shtypit e Dhomës së Përfaqësuesve tha: “Ne jemi të vetëdijshëm për rrjedhjen e ujit dhe po ndërmarrim veprime urgjente për ta zgjidhur atë. Ekipi i mirëmbajtjes së Dhomës së Përfaqësuesve aktualisht po vlerëson dëmin.”

Rrahu për vdekje vajzën 2 muajshe, dënohet me 13 burg nëna monstër

Një nënë e re, Abigail Palmer, 33 vjeç, është dënuar nga gjykata britanike me 13 vjet heqje lirie për krimin monstruoz që kishte bërë. Ajo godit për vdekje vajzën e saj 2 muajshe në përpjekje për ta bërë të pushonte së qari.

Goditja ka qenë tepër e rëndë duke i shkaktuar thyerje brinjësh foshnjës që përcaktuan edhe fatin e saj tragjik.

Edhe pse vajza nuk po merrte frymë, 33 vjeçarja e ka telefonuar me 15 minuta vonesë ambulancën, dhe në kohën kur arritën nuk ishin në gjendje të shpëtonin foshnjen Teri Rae. Ajo vdiq më 2 janar 2017, vetëm nëntë javë pas lindjes.

Raporti mjekësor e nxori vogëlushe me brinjë të thyera dhe disa të krisura që i shkaktuan edhe vdekjen.

Gjatë dhënies së vendimit gjykatësi e cilësoi krijim si të tmerrshëm.

“Ajo që bëtë ishte e tmerrshme. Vetëm ju e dini pse keni sulmuar Teri Rae në këtë mënyrë, por kjo nuk kërkon shumë imagjinatë. Mungesa e gjumit tuaj dhe e qara e vogëlushen ju ka nxitur ta godisnit aq fortë deri sa të heshte përgjithmonë.”

Palmer ishte një person që vunate nga droga dhe alkooli dhe majde edhe ditën e tragjedisë ishte nën efektin e tyre.

Sandër Lleshaj “bëhet” me polici private

Qeveria e Shqipërisë ka vendosur sot të pranojë kërkesën e ministrit të brendshëm, Sandër Lleshi për krijimin e një shoqërie tregtare shtetërore me emrin “Illyrian Guard”, e cila do të ofrojë shërbime me pagesë ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.

Në vendin e qeverisë theksohet se kjo shoqëri do të jetë 100 % në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe do të krijohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit me një kapital prej 10 milionë lekëve.

Vendimi i Këshillit të Ministrave

V E N D I M
PËR KRIJIMIN E SHOQËRISË “ILLYRIAN GUARD”, SH.A., DHE PËR PËRCAKTIMIN E AUTORITETIT PUBLIK, QË PËRFAQËSON SHTETIN SI PRONAR TË AKSIONEVE TË KËSAJ SHOQËRIE
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar, dhe të pikës 2, të nenit 81, të ligjit nr.108/2014, “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Brendshëm, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

  1. Krijimin e shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a., me kapital 100 (njëqind) % shtetëror, për ofrimin e shërbimeve ndaj personave fizikë e juridikë publikë dhe privatë.
  2. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., themelohet, organizohet dhe funksionon si shoqëri aksionare, në përputhje me parashikimet e ligjit nr.9901, datë 14.4.2008, “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”, të ndryshuar.
  3. Kapitali fillestar për krijimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., të jetë 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë.
  4. Autoriteti publik, që përfaqëson shtetin si pronar të 100 (njëqind) % të aksioneve të shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., është Ministria e Brendshme.
  5. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime me pagesë, kundrejt subjekteve të treta, publike apo private, në fushën e rendit e të sigurisë publike, teknologjisë së informacionit, si dhe çdo shërbim tjetër në përputhje me qëllimin e krijimit dhe statutin e saj.
  6. Shoqëria “Illyrian Guard”, sh.a., ofron shërbime mbështetëse në Ministrinë e Brendshme dhe institucionet në varësi të saj, në zbatim të kompetencave që i njihen kësaj të fundit sipas fushës së përgjegjësisë shtetërore.
  7. Mënyra e përllogaritjes së tarifave të shërbimeve specifike, që u ofrohen subjekteve publike, përcaktohet me udhëzim të përbashkët të ministrit të Brendshëm dhe të ministrit të Financave dhe Ekonomisë.
  8. Efektet financiare për zbatimin e këtij vendimi, për krijimin e kapitalit fillestar të shoqërisë, në vlerën 10 000 000 (dhjetë milionë) lekë, përballohen nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit. Ministria e Brendshme transferon këtë shumë pranë kësaj shoqërie menjëherë pas regjistrimit të saj në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
  9. Ministri i Brendshëm, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga data e hyrjes në fuqi të këtij vendimi, ndjek procedurat e nevojshme për:
    a) themelimin e miratimin e statutit të shoqërisë tregtare “Illyrian Guard”, sh.a.;
    b) regjistrimin e shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., në Qendrën Kombëtare të Biznesit.
  10. Të gjitha institucionet dhe subjektet publike, të cilat kanë në administrim objekte shtetërore, ruajtja dhe sigurimi i të cilave duhet të realizohet nga shërbime të specializuara për këtë qëllim, i drejtohen, me kërkesë, kësaj shoqërie, për të përfituar shërbimin e ruajtjes dhe të sigurisë fizike.
  11. Nëse kjo shoqëri merr vendim për pamundësinë e ofrimit të shërbimit të kërkuar, institucionet dhe subjektet publike mund ta sigurojnë këtë shërbim në përputhje me legjislacionin përkatës në fuqi.
  12. Ministria e Brendshme i siguron shoqërisë “Illyrian Guard”, sh.a., nga inventari i saj i pronave publike, mjediset e punës të nevojshme për fillimin e ushtrimit të veprimtarisë.
  13. Ngarkohen Ministria e Brendshme dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.
Skip to toolbar