Keni probleme me pronat dhe legalizimet? Rama ju sugjeron një zgjidhje

Nëse keni probleme me pronat apo me legalizimet, mos prisni që zgjidhjen t’jua japë deputeti por klikoni te platforma shqipëriaqëduam.al.

Kjo është këshilla që jep gjithmonë kryeministri dhe që e ka përsëritur sërish edhe sot në takimin e përjavshëm, ku madje ka bërë publike dhe rezultatet e një sondazhi. Ai tha se të dhënat e sondazheve tregojnë se besimi i publikut është rritur tek platforma dhe se shumë qytetarë kanë gjetur zgjidhje për problemet e tyre.

 “Skuadra e platformës është e gatshme të adresojë problemin dhe ta zgjidhë atë. Kemi bërë një anketim lidhur me perceptimin e publikut për shërbimin e kryer. Kemi konstatuar se përqindja që vlerësojnë se shërbimet janë përmirësuar është e konsiderueshme dhe e pakrahasueshme me atë që kishim një vit më parë. Platforma jo vetëm zgjidhë probleme, por edhe ushtron presione mbi administratën”, tha Rama.

 “Sot nuk kemi më Hipotekë dhe Aluizni të ndarë, por një agjenci e cila sapo ka filluar bashkimin në një. Mos prisni, mos lejoni t’u shikojnë nga xhepi, mos kërkoni deputetin e krushkun, por thjesht një klik në Shqipëriaqëduam.al dhe menjëherë keni qeverinë në krahun tuaj. Qeveria është një instrument në dorën e çdo qytetari”, shtoi ai.

Kryemadhi pi kafe me fermerët në Dibër dhe akuzon qeverinë

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka qenë sot në Dibër ku është ulur për të pirë kafe dhe për të biseduar me blegtorë dhe femerë të Kalasë së Dodës.

Vetë Kryemadhi ka postuar fotot në facebook ndërsa ka akuzuar qeverinë se sipas saj nuk ka dhënë asnjë subvencion për fermerët dhe blegtorët e kësaj zone.

“Sot kafen e mëngjesit në Radomirë të Kalasë së Dodës, me njerëzit fisnikë të kësaj zone.

Asnjë subvencionim për blegtorët në këtë zonë.

Numri i bagëtive ka pësuar një ulje drastike, ashtu si edhe fondi i subvencionimeve për bujqësinë në buxhetin e shtetit, që është ulur me rreth shtatë herë”, shkruan Kryemadhi.

Një tjetër deputet merr mandatin dhe i përket PD-së

Shkon në 100 numri i deputetëve në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, pavarësisht vendimit të partive opozitare për të hequr dorë nga mandatet.

Këtë radhë Komisioni Qendror Zgjedhor ka miratuar dhënien e mandatit për një kandidat që vjen nga lista e Partisë Demokratike për qarkun e Tiranës.

Bëhet fjalë për Korab Lita, i cili ishte i 21 në listën e deputetëve dhe do të zëvendësojë ish-deputetin Dashamir Shehi në Kuvend.

Bashkë me të numri i deputetëve në sallë shkon në 100 nga 140 që duhet të jetë normalisht.

Haradinaj uron 70-vjetorin e NATO-s me një kërkesë të veçantë

Përmes një postimi në facebook, kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj ka uruar 70-vjetorin e krijimit të NATO-s, ndërsa ka parashtruar kërkesën që së shpejti edhe Kosova të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut.

 “Njëzet vjet më parë, NATO mbrojti të drejtat e popullit të Kosovës përballë një fushate gjenocidale të vrasjes dhe terrorit. Populli i Kosovës përherë do t’i jetë mirënjohës ShBA-së dhe shteteve anëtare të NATO-s. Tani, pas dy dekadave, si popull i lirë me orientim të natyrshëm dhe të palëkundur euro-atlantik, ne synojmë që të jemi pjesë e aleancës së shteteve të NATO-s dhe të japim kontributin tonë të plotë në mbrojtjen e vlerave dhe parimeve të sigurisë, lirisë dhe demokracisë. #WeAreNATO#NATO70”,  shkruan Haradinaj në Facebook.

Kush është Tony Montana shqiptar me pasaportë britanike


Mane Driza ose Sokol Drenova, është i ashtuquajturi Tony Montana shqiptar, që u dënua nga Gjykata Penale në Britaninë e Madhe me burgim të përjetshëm. Ai akuzohet për vrasjen makabre me thikë të bashkëkombasit të tij, Stefan Bledar Mone vetëm 23 vjeç. Ngjarja ka ndodhur 20 vite më parë, në qershor të vitit 1999 në veri të Londrës.

Mane Driza i cili përdorte emrin Sokol Drenova dhe kishte pseudonimin Tony Montana akuzohet edhe për 4 vrasje të tjera, në Shqipëri dhe Itali.

Në moshën 17-vjeçare ai akuzohet se ka ekzekutuar babë e bir, Elmaz dhe Lavdosh Kananin në fshatin Bishan ku jetonte në Shqipëri. Ai është dënuar në mungesë me 25 vite në Shqipëri për këtë krim.

Ndërsa në Itali, ai akuzohet për vrasjen e dy shqiptarëve të tjerë, të identifikuar si Artan Maskaj dhe Albert Blusaj, ngjarja kjo e ndodhur në një bar në Catania të Sicilisë.

Hapi gropë për të mbjellë ullinj, fermeri nga Fieri zbulon predhën e Luftës së II Botërore

Një fermer nga Frakulli i Fierit ka zbuluar një predhë të Luftës së Dytë Botërore teksa ishte duke hapur një gropë për të mbjellë ullinj në tokën e tij.

Sipas informacioneve të para predha mendohet të jetë mbetje nga Lufta II Botërore dhe i përket  aviacionit luftarak italian.

Për këtë zbulim është njoftuar ministria e Mbrojtjes ndërsa në vendngjarje ndodhen forcat xheniere që po merren me shpërthimin e saj të kontrolluar.

Ngeli në vetting, Rovena Gashi kërkon kthimin në detyrë. Debate me ONM-në

Ish drejtuesja e njësisë së Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi e shkarkuar nga KPK në muajin korrik të vitit të kaluar, sot ka dalë para Kolegjit të Apelimit duke kërkuar kthimin e saj në detyrë.

Madje gjatë seancës së sotme ka pasur dhe një përplasje me përfaqësuesin e ONM-së. Kjo për shkak se ndërkombëtarit kishin njoftuar se vëzhgues në seancën e sotme do të ishte Mia Rozing, por për shkak të problemeve shëndetësore, në seancë është paraqitur Teo Jacobs. Avokatja e Rovena Gashit, Ema Gashi njëkohësisht dhe motra e saj, kundërshtoi zëvendësimin e vëzhguesit ndërkombëtar duke bërë të ditur se nuk ishte vënë në dijeni më parë për këtë ndryshim.

Pas replikave ndërhyri drejtuesja e trupës së Apelit, Albana Shtylla duke u tërhequr për vendim.

Rovena Gashi u shkarkua nga komisioni i vettingut më 25 korrik të vitit të kaluar me argumentimin se nuk justifikon pasurinë, nuk ka burime të ligjshme si dhe ka bërë deklarim të pasaktë. Ndërkohë që tashmë pritet vendimi i Kolegjit të Apelimit.

SHBA fuqizon ushtrinë shqiptare

Në ditën kur zyrtarisht shënohet 10 vjetori i antarësimit të Shqipërisë në NATO, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i kanë bërë një dhuratë Forcave të Armatosura:  37 mjete të blinduara, tw cilat do të përdoren nga strukturat e Forcave tona të Armatosura, si pjesë e mbrojtjes kolektive të NATO-s. Në ceremoninë e dorëzimit të këtyre mjeteve, mori pjesë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara në vendin tonë, Leyla Moses-Ones dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneral brigade Bardhyl Kollçaku. Ministrja Xhaçka falënderoi qeverinë e SHBA për ndihmën e vazhdueshme që jep për vendin tonë dhe vlerësoi si të rëndësishëm dhurimin e 37 mjeteve të blinduara, të cilat do të rrisin kapacitetet dhe performancën e Forcave tona të Armatosura.


“Kjo paketë përkthehet në më shumë cilësi kapacitetesh, më shumë angazhime të përbashkëta dhe sigurisht në më shumë siguri si për vendin tonë ashtu edhe për aleancën. Armatimi i ri sipas standardit të NATO, po e ndryshojnë cilësisht realitetin e përditshëm të punëve të ushtarakëve tanë si dhe po rrisin dita –ditës performancën e tyre, gjatë ushtrimit të detyrave në teatrot e operacioneve ku marrin pjesë. Mjetet do të mundësojnë zgjerimin e spektrit të detyrave dhe misionit të trupave tanë dhe do të rrisin sigurinë e personelit sidomos ndaj minave dhe mjeteve shpërthyese të improvizuara, i cili konsiderohet tashmë si një prej kërcënimeve më të pranishme në mjedisin operativ.”- u shpreh ministrja Xhaçka.

E ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones  ka zgjedhur që për herë të parë të flas shqip dhe një shqipe mbreslënëse. Ajo e ka cilësuar  dhurimin e mjeteve të blinduara si ndihmë jo vetëm për vendin tonë, por edhe për Aleancën.

 
“Kjo aftësi e re e blinduar do të rrisë mbrojtjen e brendshme të Shqipërisë, do të forcojë krahun jugor të NATO-s dhe do të sigurojë fuqi vendimtare luftarake në NATO që mund të dislokohet në mbështetje të operacioneve globale. Ky është një tjetër shembull se si Shqipëria po rritet si një lider rajonal në Ballkan. Nën drejtimin e shkëlqyer të ministres Xhaçka dhe gjeneral Kollçakut, komunikimi dhe bashkëpunimi midis forcave tona ushtarake nuk ka qenë kurrë më i fortë ndërsa shpërndarja e këtyre automjeteve shënon përfundimin e një faze të bashkëpunimit tonë.”- u shpreh e ngarkuara me punë e SHBA në vendin tonë, Leyla Moses-Ones

Foto/Asnjë këngë dhe asnjë klip, Anjeza Shahini zbulon punën që bën në Angli

Që kur u largua nga Shqipëria dhe u martua në Angli, këngëtarja Anjeza Shahini nuk ka sjellë asnjë këngë dhe asnjë klip të ri, por megjithatë ajo duket se nuk ka hequr dorë nga muzika.

Përmes instagramit ajo na njohu me punën e re që bën në Angli, duke na treguar se jep mësim kantoje për talentet e rinj.

Anjeza ka publikuar një video të një vajze që këndon dhe shkruan se vajza i ka zhvilluar aftësitë në këndim me ndihmën e saj.

Pra duket se Anjeza nuk ka hequr kurrë dorë nga muzika, megjithëse prej pak kohësh është bërë edhe mami.

Ajo është martuar me diplomatin Paul Edëard Conollyn dhe tashmë janë bërë prindër të një vajze.

SHBA jep garanci: Në krah të Shqipërisë për anëtarësimin në BE

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të mbështesin rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së. Kështu është shprehur Nancy Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve gjatë një takimi që ka zhvilluar me ministrin e Jashtëm në detyrë të Shqipërisë, Gent Cakaj. Ai ndodhet në SHBA në kuadër të takimeve me rastin e 70-vjetorit të krijimit të NATO-s.

 “Shqipëria ka çmuar përherë partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara, partneritet që përbën një nga elementet kryesorë në politikën e jashtme dhe angazhimin e Shqipërisë në rajonin tonë”, theksoi ministri në detyrë, Cakaj.

Ndërsa Pelosi u shpreh se “Amerika ka mbështetur pa rezerva Shqipërinë në rrugëtimin e saj deri në anëtarësimin e plotë në NATO, 10 vite më parë, e do të vazhdojë ta bëjë këtë edhe në aspiratën e Shqipërisë për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian”.

Skip to toolbar