Lulzim Basha nxitoi për të folur i pari në konferencë për mediat, pasi është njohur me vendimin e kryeministrit Edi Rama, se do të dilte në konferencë për shtyp në orën 21:00. Ndonëse numri i zgjedhësve që kanë shprehur vullnetin ka shkuar rreth 760 mijë, shifër shumë e përafërt me votat që PS mori në zgjedhjet e fundit, për Lulzim Bashën, kjo është braktisje e Edi Ramës.
“Sot shqiptarë braktisën në masë maskaradën e votimit një partiak të Edi Ramës. 85 për qind e votuesve të regjistruar refuzuan votimet e paligjshme moniste. Edi Ramën sot e bojkotuan edhe socialistët, pasi për të sot votuan më pak se në vitin 2015 dhe 2017. Votimi i sotëm njëpartiak dhe nën kontroll të plotë njëpartiak ishte një ngjarje që nuk ndodhte askund në Europë, që nga koha e komunizmit”, u shpreh Basha.
Kryedemokrati, i cili vendosi të braktiste garën e 30 qershorit së bashku me aleatët e tij, pretendon se votuesit e të dielës, janë rrogëtar, të cilët kanë dalë në votime, sipas Bashës, nga kërcënimi se do të largohen nga puna.
“Në mënyrë të veçantë, regjimi ka ushtruar trysni dhe kërcënime ndaj punonjësve të sektorit publik. Mbi 150 mijë punonjësit publikë janë kërcënuar me pushim nga puna, nëse nuk votojnë së bashku me familjarët e tyre. Ata janë identifikuar dhe matrikuluar më një sistem të veçantë kodifikimi në të gjitha qendrat e votimit për të vertetuar pjesëmarrjen e tyre në votim. Në të vërtetë, thuajse e gjithë vota e sotme është vota e sektorit publik, e rrogëtarëve të shtetit, e marrë nën kërcënim dhe dhunim të vullnetit të lirë të punonjësve dhe familjarëve të tyre”, u shpreh Basha.
Megjithatë, Basha, ashtu siç ka premtuar nga 16 shkurti se largimi i Ramës është afër, edhe në konferencën për shtyp nga Selia Blu, u shpreh përsëri se fundi i Ramës do jetë i afërt, por nuk tha si dhe kur, do të vij, ajo që Basha e quajti “ankth”.
“Numri real tregon asgjë më shumë sesa rrogëtarët e shtetit nën terror, të detyruar, njësoj siç e tregojnë përgjimet e BILD-it të dalin bashkë me familjarët që të mos e humbasin bukën e gojës. Atyre u jap fjalën se ne do të çlirohemi shumë shpejt nga ky ankth, nga ky krim ndaj jush dhe fëmijëve tuaj. Njësoj si të gjithë qytetarët, Ju do të jetoni me dinjitet dhe do t’u shërbeni me dinjitet vetëm qytetarëve dhe ligjit dhe jo pushtetit të radhës”, u shpreh ndër të tjera.