Një nga ndeshjet më të rëndësishme të kësaj jave në kampionat është ajo mes Flamurtarit dhe Laçit. Të dyja ekipet mbeten në luftë për të arritur një vend në kupat e Europës, teksa përballja mes dy ekipeve është vendimtare. Idi Batha ka folur në konferencë për shtyp një ditë para përballjes me kurbinasit. Futbollisti i skuadrës vlonjate e ka cilësuar si shumë të vështirë dhe që vendos fatet e Europës.
Laçi – “Normalisht është ndeshje e vështirë. Laçi gjithë këto vitet e fundit ka treguar që është një ekip me vlera dhe që ka ditur ta kapë zonën e Europës. Edhe ne e kemi treguar këtë sezon që dimë të fitojmë dhe të zhvillojmë ndeshje të mira. Normalisht është e vështirë, e kam shprehur edhe më parë që nuk ka ekipe të lehta këtë sezon. Me pak përqendrim mund ta kalojmë me sukses këtë ndeshje” u shpreh Batha.
Europa – “Në rast të një fitoreje me Laçin jemi ne më të favorizuar të shkojmë më tej. Kemi edhe një trepikësh në tavolinë me Kamzën. Na e bëhet edhe më e lehtë për ta kaluar Laçin”.
Tirana – “Nuk është se kam pasur ofertë nga Tirana. Ç’është e vërteta më kanë ardhur fjalë nga shumë ekipe të Superiores, por që asgjë konkrete. Për momentin jam i përqendruar të mbyll kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme”, u shpreh Batha.