Baze: Berisha po ia bën gjyqin vetvetes përpara SPAK

Më të fundit


Nga Mero Baze

Sali Berisha ka plot mënyra se si ta shmangë dhe marrjen e letrës nga oficerët e SPAK, të cilët janë duke zbatuar procedurën e njoftimit të tij për masën e sigurisë. Edhe pse Berisha e ka pranuar zyrtarisht akuzën, pasi e ka ankimuar, paradoksalisht, ai duhet të firmosë dhe letrën e ardhur nga Gjykata.


Në shtëpi e ka të lehtë të fshihet, pasi e hap derën e i biri dhe thotë babai është pa qejf apo është në tualet.

Nëse i shkojnë tek zyrat e SHQUP, po ashtu nuk e gjejnë dot, pasi tre të katërtat e zyrave janë bosh dhe ai mund të fshihet nga zyra në zyrë. Madje atje mund të fshihet dhe nëse e dënojnë me burg se nuk e gjejnë dot.

Në rrugë po ashtu është e vështirë ta ndalosh se ka eskortë dhe nuk të lënë t’i afrohesh.

Po mendoja se i vetmi vend ku mund të kapësh, është në një nga këto takimet “elektorale” siç i quan ai, siç ishte ky i Durrësit. Aty, ndonjë nga këta oficerët e SPAK mund të maskohet si civil dhe në një moment të thotë: Doktor kam një porosi me shkrim për ty që nuk dua ta lexojë njeri dhe ja vë para” . Ky do ishte versioni komik i SPAK.

I gjithë ky degradim i personalitetit të tij, i cili nga një anë pranon akuzën e ankimon dhe ndjek rrugën institucionale dhe nga ana tjetër bën betejë me “korrierët” e SPAK që të mos marrë njoftimin, është në të vërtetë dënimi më i rëndë publik për Sali Berishën.

Zakonisht ithtarët e tij e kanë përfytyruar një burrë të fortë, që nuk pyet nga drejtësia dhe që askush nuk do të guxonte t’i çonte një urdhër arresti.

Tani ata po shikojnë udhëheqësin e tyre që u fshihet të dërguarve të drejtësisë jo më për urdhër arresti, por për njoftim mase sigurie.

Njeriu që është mbrojtur politikisht 32 vite, duke sfiduar drejtësinë, tani është katandisur në një lepur që fshihet vrimave kur i trokasin në derë dhe i përgjon ata sa ikin nga vrima e çelësit për të dal e për të bërë si i fortë.

Fakti që ai edhe e pranon vendimin duke e ankimuar dhe shmang marrjen e fletëthirrjes dhe fshihet si frikacak nëpër tualete sa herë trokasin në derë, është në të vërtetë vizatimi më i dhimbshëm se si duhet ndëshkuar një njeri fals, një frikacak që shtiret si trim, një njeri që premton të sfidojë drejtësinë por nuk përballet dot as me korrierët e SPAK, një njeri që pretendon se po gjykohet politikisht, por po mbrohet procedurialisht, një politikan që ka dorëzuar në burg dhëndrin e ndoshta pak më vonë dhe djalin dhe gjithë betejën e ka përqendruar si të shpëtoj vetë nga korrierët e SPAK.

Ky është karakteri i tij. Dhe duhet të trokisnin në derë ca oficerë të SPAK ta njihnin të gjithë ende pa shkuar në gjykatë.




Skip to toolbar