Baze: Kauza reale e opozitës është “përfillja” e Berishës

Më të fundit


Nga Mero Baze

Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos, ishte sot në Tiranë dhe nuk pati asnjë dilemë për vlerësimet pozitive ndaj qeverisë sa i përket angazhimeve në raport me Bashkimin Europian.


Takoi dhe përfaqësues të opozitës. Enkelejd Alibeajn nga Partia Demokratike dhe Gazment Bardhin nga Rithemelimi.

Vlerësimet e saj nuk kanë asnjë pikë të përbashkët me vlerësimet e opozitës, megjithatë opozita ngjan më shumë e kënaqur që ka takuar një prej tyre, se sa që nuk mbështet kauzat e deklaruara të tyre.

Kauzat kryesore të opozitës aktualisht janë çështja Beleri, të cilin e quajnë arrestim politik, çështjen Berisha, që e quajnë po arrestim politik, dhe kontrollin e SPAK nga Edi Rama.

Në të tria çështjet pati përgjigje të qarta.

Sa i përket çështjes Beleiri, ajo e dha përgjigjen përmes përgjigjes që i ktheu Greqisë, duke e quajtur qendrimin e saj të tmerrshëm dhe të padrejtë.

Sa i përket akuzave se SPAK ka dënuar Berishën politikisht, apo që Edi Rama kontrollon SPAK, ajo e dha përgjigjen duke mbështetur fort SPAK, në gjithë punën e vet dhe duke e quajtur punën e tij një nga argumentet pse Shqipëria po avancon drejt Bashkimit Europian.

Tani opozita duhet të zgjedhë çfarë ka më të rëndësishme në luftën e saj, të përfillet nga Perëndimi, apo të mbrojë kauzat e saj.

E gjithë kauza opozitare është ngritur mbi fabulën që drejtësia e re kontrollohet nga Edi Rama dhe se arrestimet e Berishës dhe Belerit janë politike, ndërsa ato në krahun qeveritar i dikton Rama.

Bashkimi Europian që monitoron Shqipërinë, ka vlerësim tërësisht të kundërt me këtë dhe e thotë publikisht.

Në kushte normale, Berisha do ta kishte bërë copë këtë reporteren e BE, që guxon të lavdërojë atë që e ka mbyllur brenda dhe e ka lënë të dalë çdo natë majë penxheres.

Por me sa duket fakti që ajo i ka përfillur dhe ka takuar Gazment Bardhin, duket se e ka kompleksuar dhe ja ka mbyllur gojën.

Dhe ky nuk është rasti i parë.

Edi Ramën e shpalli armik të përbetuar dhe betohej se do ta rrëzonte me revolucion dhe vetëm se ai e përfilli, duke ulur Gazment Bardhin në tryezë, ky e pranoi dhe bëri marrëveshje me të.

Pra e shuan revolucionin me një pikë ujë.

Tani dhe Perëndimin që e ka armikun e jetës së tij, pasi po e varros me turp si hajdut dhe “non grata”, po e toleron vetëm se raportuesja dha shenja “përfillje” ndaj Gazment Bardhit.

Pra mënyra se si po reagon Berisha, tregon se kauzat e opozitës nuk janë ato që thotë opozita, por është thjesht përfillja e Berishës.

Mjafton të krijosh idenë se atë po e përfill dhe ai i harron të gjitha.

Kjo është kriza reale e tij, e cila e nxjerr çdo natë majë penxheres dhe e bën të urrejë gjithë boten.

Prandaj këta të Rithemelimit, duhet të llogarisin se sa herë të bëhen gati për beteja,  armiku mund t’ju çarmatosë duke “përfillur” Berishën.




Skip to toolbar