Baze: Për ata që duan ta festojnë si viti “anti-amerikan” i shqiptarëve 

Më të fundit


Të vetmen arritje që i njeh vetes “Foltorja” e Sali Berishës, dhe mbështetësit e saj, për vitin 2022 është pretendimi që ata kanë, se në vend është krijuar një frymë antiamerikane për shkak të lëvizjes së tyre. Por të frikësuar se ky do të mbetet një rekord i zi historik, nxitojnë të thonë se ky “antiamerikanizem” u shkaktua nga politika e ambasadores Yuri Kim, Sorosit, Sekretarit te Shtetit Blinken e broçkulla të tjera. 

Në fakt i gjithë spekulimi qëndron tek pretendimi i gënjeshtërt se në vend është krijuar një frymë antiamerikane. Nuk është e vërtetë. Përkundrazi në Shqipëri gjatë këtij viti ka pasur betejë kundër SHBA por jo frymë antiamerikane. Beteja e dëshpëruar ndaj SHBA, e listës së personave “a non grata” dhe e Sali Berishës, është luftë personale e tyre për të zbutur njollën e përjetshme si hajdut të korruptuar dhe minues të demokracisë. Në një farë mënyre është e justifikueshme që ata do të reagojnë.  


Por dhe ata vetë, të frikësuar nuk kanë bërë dot deri më sot asnjë betejë direkte kundër SHBA. 
Sali Berisha e nisi në fillim betejën kundër SHBA si betejë kundër Lulzim Bashës. Shpiku njëmijë gjëra për të, për të mbajtur gjallë luftën kundër SHBA pasi donte tu thoshte demokratëve se “ja kë mbështet SHBA, këtë që u ka bërë gjëmën”. 

Më pas kur Basha u tërhoq, Berisha e diversifikoi luftën kundër SHBA me çdo ngjarje të ditës që kishte. Ai amplifikonte çdo lëvizje në drejtësi, çdo lëvizje në qeveri, çdo aferë korruptive apo deri dhe ngjarje kriminale, duke i lidhur me SHBA dhe mbështetjen e qeverisë amerikane për qeverinë shqiptare. 

Pra ai ka qenë për një vit në një betejë të përditshme kundër SHBA, duke u përpjekur ta bëjë atë fajtore për gjendjen në PD për qeverisjen dhe çdo gjë tjetër që ndodhte, pa i dalë vetë ballas . Pra ai më shumë se sa betejë kundër SHBA është përpjekur të fitojë aleatë kundër SHBA duke mashtruar publikun. 

Dhe nuk ja ka arritur. Sa më shumë e ka bërë agresive luftën kundër SHBA, aq më shumë i ka bindur dhe të vetët se me atë nuk ka perspektivë. 

Përpjekja e tij e dytë e gënjeshtërt është që të identifikojë mbështetjen e tij brenda PD si një kontingjent antiamerikan. Pra Berisha quan rritje të frymës antiamerikane në Shqipëri faktin që ai ka mbështetës brenda PD, të cilët e dinë që është në luftë me SHBA dhe janë sërish me të. 
Pra ashtu siç i ka të maskuara betejat me SHBA, ashtu përpiqet të maskojë dhe mbështetësit e vet si mbështetës antiamerikane. Në të dyja rastet spekulon.  

Viti 2022 mund të vlerësohet pa frikë si viti kur SHBA ka vendosur standardet e saj për politikën shqiptare dhe drejtësinë, duke e konsideruar betejën kundër korrupsionit interes kombëtar të SHBA, dhe treguar me gisht njerëzit që SHBA nuk do bashkëpunojë kurrë në Shqipëri. Në krye të kësaj liste është Sali Berisha. Ky është bilanci më proshqiptar i SHBA ndonjë herë në Shqipëri.  




Skip to toolbar