Tirana e vitit 2023, një kantier i madh”, Veliaj prezanton investimet e ardhshme 

AKTUALITET


Tirana pritet që të jetë në 2023 një kantier i madh ndërtimi. Në një intervistë në TVSH, Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj u shpreh se ende vizioni i tij për Tiranën nuk ka mbaruar dhe se përpara janë shumë projekte të rëndësishme për t’u realizuar. Veliaj renditi listën e gjatë të invetimeve që pritet të finalizohen apo të nisin vitin e ardhshëm.

“Unë besoj që vizioni ynë për Tiranë është ende i pambaruar. Unë besoj që Tirana nuk mund të jetë i vetmi qytet që s’ka një kopsht botanik, ku kopshti botanik është vetëm një mënyrë që roja bën ca lekë me fotot e nuseve. Më duket patetike që ne kemi debat me shkencat e Natyrës, në Gjykatë, kur ajo që ne provuam tek kopshti zologjik është që ka vend edhe për shkencë dhe për herë të parë veterinarëve të UBT, të rinj u jepet rasti që edhe me kafshë ekzotike të kenë të bëjnë dhe të specializohen dhe kjo do të ndodhë edhe me kopshtin Botanik. Ne nuk mund të jemi i vetmi qytet që vazhdojmë me gjyqe pa fund, fatmirësisht i fituam të gjitha, për terminalet e Tiranës që është gjëja më logjike. Ti hyn në një qytet, ti nuk vjen tek “7 Xhuxhat” si në vakt, hajde se u mbush për në Prenjas e Librazhd. Ka një stacion ku ti shkon si njeri, sheh orarin. Kemi mbaruar atë tek TEG, kthesa e Lundrës, do e e hapim këtë vit Lindorin dhe do fillojmë pasi fituam gjithë gjyqet, një marrëzi, e do vijojmë gjithashtu me Perëndimorin që është tek kthesa e Kamzës”, tha ai.


Duke u ndalur tek transporti, Veliaj dha lajmin e mirë të rikthimit të trenit. “Tirana është një qytet ku akoma s’është rikthyer treni. Stacioni ynë edhe tek kthesa e Kamzës do të jetë një stacion interurban ku edhe autobusët edhe treni do të shkëmbehen dhe pastaj do të vijë vetëm një stacion qytetas, pra o mallrash, por vetëm në mënyrë elektrike tek treni ku ka qenë, por nga ana tjetër e bulevardit të ri”, nënvizoi ai.

Me ritme të larta po punohet dhe për finalizimin e punës me dy lagjet e reja në qytet si ajo tek “5 Maji” dhe në Kombinat. “Ne duam të mbarojmë dy lagjet “5 Maji” dhe Kombinatin. Dy strategji të ndryshme politike. Një parti që mbulonte zonën e Kombinatit, strategjinë e kishte të na pengonte me gjyqe. Partia tjetër edhe prej faktit që është pak më energjike e kishte me protesta bllokimin por ishin të dy nyje gordiane që duheshin zgjidhur, duheshin fituar edhe gjyqet, duheshin bindur edhe ata që bllokonin projektin tek 5 Maji. Tashmë janë çliruar të dy projektet nga ky lloj bllokimi dhe po ecim me lagjet, madje tek 5 Maji janë futur në pallatet e para banorët e parë, por duhet që në mandatin e tretë ta mbyllim përfundimisht këtë historinë e tërmetit”, tha Veliaj.

Ndërkaq, Tiranës do i shtohet vitin e ardhshëm dhe buqeta me shkollat e reja të cilat do të ofrojnë kushte të mira arsimore. “Kemi buqetën e fundit të shkollave. Jam krenar për faktin që kemi bërë 43 shkolla në Tiranë. Si shkolla Kosova mund të na ketë pëlqyer ne që kemi qenë atje por çdo e re po bëhet më e mirë, në çdo projekt mësojmë më shumë. Duhet të mbarojë edh një paketë e fundit që na ngelur që janë 5 shkolla tek Astiri, tek gjithë zona e Unazës së Re, se pa mbaruar rrugën nuk bënim dot shkollë. Ajo është kthyer në një lagje të stërmadhe të Tiranës. Kemi edhe dy shkolla të tjera, një shkollë Dritëro Agolli që do jetë tek Parku Olimpik dhe në anën tjetër tek kopshti Botanik ose në kufi të kopshtit Botanik një tjetër gjimnaz aty sepse edhe ajo zonë e liqenit të Thatë është rritur jashtë mase”, tha Veliaj.

Pas 8 godinave të Kampusit Universitar Bujqësor, Bashkia e Tiranës do të nisë punën dhe me projektin e ri për transformimin e “Qytetit Studenti”. “Ne kemi mbaruar Universitetin Bujqësor, kampusin atje, 8 godina të jashtëzakonshme. Mbaruam godinat tek Inxhinieria, mbaruam godinat tek Mjekësia. Unë jo vetëm që e përbuz këtë ndasinë të ardhur dhe vendalinj, por përkundrazi inkurajoj sa më shpejt integrimin. Investimet që ne kemi bërë në Qytetin Studenti e bëjnë integrimin më të shpejtë. Mbaruam me Mjekësinë, Inxinierinë, Bujqësorin. Tani duam të bëjmë Qytetin Studenti dhe po detajojmë projektin te “Qyteti Studenti” i rrugës së Elbasanit. Është vërtet një super projekt gjigand”, tha Veliaj, teksa shtoi se vitin e ardhshëm do të hapet dhe Piramida.




Skip to toolbar