Baze: Përse nuk bëjnë fushatë kandidatët e “Foltores”? 

Më të fundit


“Foltorja” e Sali Berishës ishte e para që u angazhua në zgjedhjen e kandidatëve për bashki, për zgjedhjet e 14 majit. Në një proces gjysmë qesharak, që më shumë kërkonte të “vinte në jetë” mësimet e “Foltores”, se sa të bënte garë brenda opozitës, të gjitha bashkitë e vendit u kompletuan me kandidatët e tyre në emër të “Foltores” së Berishës, qysh në fillim të këtij viti.

Entuziasmi me të cilën ata përzgjodhën kandidatët është në proporcion të zhdrejtë me angazhimin e tyre elektoral dhe në disa raste dhe politik. Përjashto Belind Këlliçin dhe Luçiano Boçin, të cilët po sillen më shumë si nënkryetarë të Berishës, se sa si kandidatë bashkish, të tjerët thuajse nuk ekzistojnë.


Përkundër tyre, Partia Demokratike e drejtuar nga Alibeaj, po prezanton qytet më qytet kandidatët e saj, të cilët do të garojnë në zgjedhjet e 14 majit.

Po kush ua vrau optimizmin kandidatëve të “Foltores”?

Goditja e parë ndaj tyre, erdhi nga vet procesi fals që ata kryen. Duke qenë një garë që tentonte të mundte Lulzim Bashën dhe jo Edi Ramën, ata u përfshin në primaret e “Foltores” të motivuar nga entuziasmi që kishin më shumë mbështetje se grupi i Bashës. Dhe kjo u krijonte ndenjën e triumfit, në vend që t’i pezmatonte si oguri i humbjes së tyre.

Pasi u zgjodhën dhe duhet të bëjnë llogari për të fituar, ata shikojnë se fitorja e tyre në të vërtetë ka qenë arsyeja e vetme përse ata do të humbasin në çdo bashki, pasi primaret e tyre u bazuan tek poshtërimi i kundërshtarëve në opozitë dhe jo tek beteja me pushtetin.

Pas kësaj, në disa bashki kandidatët janë thuajse të tërhequr nga gara dhe po negociojnë me palën tjetër që t’i mbështesë, në varësi se kush do të regjistrohet zyrtarisht në zgjedhje.

Nga ana tjetër, vet Berisha nuk u jep asnjë shans për të negociuar me kundërshtarët në PD dhe grupin Basha-Alibeaj, pasi ai e ka betejën reale me Bashën dhe Alibeaj, dhe jo me Ramën. 

Një rast ilustrues për këtë ka qenë Bashkia e Përmetit. Kandidati potencial i “Foltores”, i cili priti Berishën në takim në Gjirokastër dhe ka qenë një herë më parë kryetar bashkie, për të mbajtur të bashkuar PD, i propozoi Berishës që ta mbështeste, duke kandiduar me grupin e Bashës, pasi kështu mund t’i bashkonte të dy krahët. Refuzimi ishte kategorik dhe kjo tregon se Berishës nuk i intereson fitorja mbi Ramën, por fitorja mbi Bashën, duke çaktivizuar elementët elektoralë të PD.

Arsyeja e dytë pse ata janë jashtë fushate, është vet qëndrimi i dyzuar i Berishës për të marrë pjesë në zgjedhje. Muajt e fundit Berisha ka shtuar zërat se nuk do të pranojë kurrë të hyjë në zgjedhje pa siglën e PD.

Në fakt se kujt i takon sigla e vendos gjykata, por duket se ai do të jetë proces afatgjatë. Vendimi më i drejtë që mund të marrë gjykata, është të shfuqizojë të dy vendimet e dhëna deri më sot, të bashkojë çështjen dhe ta dërgojë për rigjykim në Shkallë të Parë. 

Kësisoj trashëgimia juridike e PD për këto zgjedhje vazhdon të mbetet tek Basha, ndërsa në të ardhmen e vendos gjykata. Por dhe sikur mos i hyjë kaq thellë kësaj procedure, gjykata vështirë se merr vendim para afatit të regjistrimit të partive. Kështu Berisha është duke pritur një alibi për të mos marrë pjesë në zgjedhje, nën arsyetimin se e përjashtuan me vendim gjykate. 

Këtë gjë e kanë ndjerë shumica e kandidatëve në garë dhe me sa duket askush nuk do të investohet në një fushatë, kur ende nuk dihet nëse do ketë pjesëmarrje në zgjedhje.

Së fundmi, dhe një super arsye elektorale. “Foltorja” e Berishës, ka institucionalizuar ndarjen e PD në dy pjesë, ka thelluar urrejtjen dhe në bazë me palëve dhe praktikisht ka krijuar dy parti armike. Të dyja janë të vendosur të hyjnë në zgjedhje dhe kjo e bën të pashpresë fitoren e kandidatëve të “Foltores”. Kjo i demotivon ata për të filluar të harxhojnë energji dhe para për një fushatë të humbur. 

E gjithë kjo është falë zellit të Sali Berishës, për ta përdorur PD për hallet e veta. Nëse Berisha ikën, merr fund përçarja, nëse vazhdon të qëndrojë, merr fund PD. Të parët që e kanë kuptuar këtë janë vet kandidatët e Berishës.




Skip to toolbar