“Reporterët pa kufij”, organizata që merret me vlerësimin e lirisë së mediave dhe shtypit në botë, ka nxjerr raportin për vitin 2019. Ajo që organizata vëren është se vitin e fundit është rritur në përmasa të frikshme urrejtja dhe dhuna ndaj medias dhe gazetarëve.
Indeksi i Botës së Lirisë së Shtypit 2019 i përpiluar nga Reporterët pa Kufij (RSF) tregon se si urrejtja e gazetarëve është degjeneruar në dhunë, duke kontribuar në rritjen e frikës. Numri i vendeve që konsiderohen të sigurta, ku gazetarët mund të punojnë në siguri të plotë, vazhdon të bjerë, ndërsa regjimet autoritare vazhdojnë të forcojnë kontrollin e tyre në media.
Norvegjia renditet e para në Indeksin 2019 për vitin e tretë radhas e ndjekur nga Finlanda, Suedia dhe Holanda. Ndërsa në 3 vendet e fundit renditet Etiopia, Korea e Veriut dhe Turkmenistani.
Bashkimi Europian dhe Ballkani regjistruan përkeqësimin e dytë me një rënie prej 1.7 % duke matur nivelin e kufizimeve dhe shkeljeve të lirisë së shtypit. Megjithatë mbetet ende rajoni ku liria e shtypit respektohet më së shumti dhe që në parim është më e sigurta.
Në raport është vlerësuar edhe liria e medias në Shqipëri, e cila ka shënuar një rënie prej 7 vendesh. Një vit më parë Shqipëria renditej në vendin e 75-të, ndërsa këtë ajo u rendit në vendin e 82-të.
Në raport thuhet se “sulmet mbi mediat, qoftë nga qeveria apo krimi i organizuar, arritën shkallë të pashembullt në vitin 2018. Gazetarët ishin cak i fyerjeve, kërcënimeve me vdekje dhe përndjekjeve ligjore, me qëllim të frikësimit dhe pengimit të hetimit të korrupsionit. Politikanët e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, i cilësuan ata si “kazan” dhe “prodhues të lajmeve të rreme. Kryeministri propozoi një ligj të projektuar për të përforcuar kontrollin e shtetit mbi mediat elektronike dhe, sipas kritikëve, të kufizojë qasjen në lajme dhe informacione.”