Bizneset, afat deri në 30 shtator për dorëzimin e bilanceve. Dokumentet që duhen

AKTUALITET


Qendra Kombëtare e Biznesit ka shtyrë deri në 30 shtator dorëzimin e bilanceve nga bizneset që kanë aplikuar në sistemin ‘on line’, por që nuk kanë arritur dot të përfundojnë procedurën për shkak të mbingarkesës të sistemit elektronik. Ndaj këtyre bizneseve nuk do të vendosen gjoba për mosdorëzimin në kohë të pasqyrave financiare. Por nga gjoba nuk do të shpëtojnë ato biznese që nuk kanë aplikuar fare deri më tani.

Sipas ligjit, dorëzimi i bilanceve vjetore të biznesit duhet bërë brenda 7 muajsh nga përfundimi i vitit financiar, që përkon me 31 korrikun. Në përfundim të këtij afati për këtë vit kanë dorëzuar bilancet në QKB 19.250 biznese, ndërsa pritshmëria ishte për mbi 24 mijë subjekte.


Në bazë të ligjit të kontabilitetit, është shtuar numri i pasqyrave që duhet të deklarohen. Krahas dorëzimit online të pasqyrave financiare, që zgjaste mesatarisht disa minuta, tashmë është shtuar dhe plotësimi i një sërë dokumenteve të tjera, si raporti i ecurisë së aktivitetit të ekonomisë, informacion për aktivet, të ardhurat, numri mesatar i punonjësve, kodin e biznesit etj.

Bizneset u ankuan vazhdimisht se sistemi është shumë i ngadaltë dhe faqja donte kohë të merrte dokumentet edhe gjatë qershorit e korrikut, ndërsa në 31 korrik sistemi u bllokua pothuajse tërësisht. Qendra Kombëtare e Biznesit njoftoi se për shkak të mbingarkesës nuk do të aplikohen gjoba për ata që kanë marrë një numër aplikimi.




Skip to toolbar