Biznesi, në kaos për dorëzimin e bilanceve, QKB shtyn afatin me dy muaj

EKONOMI


Qendra Kombëtare e Biznesit ka aplikuar këtë vit për herë të parë një sistem të ri për dorëzimin e pasqyrave financiare nga ana e bizneseve, nëpërmjet portalit e-albania, por kjo ka sjellë një kaos te bizneset, të cilat nëse nuk aplikojnë deri mesnatën e 31 korrikut, rrezikojnë gjoba të rënda. Por, duke parë mbingarkesën, QKB duket se është tërhequr disi nga afati, duke e shtyrë atë deri më 30 shtator, por jo për të gjithë.

Me sistemin e ri, bizneset kanë aplikuar online për të dorëzuar bilancet e vitit pararendës, por kjo ka sjellë mbingarkesë të sistemit, duke shkaktuar kaos tek ata, pasi nuk mund të ngarkojnë dokumentet. Bizneset ankohen se me sistemin e ri të dorëzimit tw bilanceve me e-albania, që po aplikon QKB, përveçse ky sistem është i ndërlikuar, është edhe teknikisht keq. “Afati për dorëzimin e tyre është 31 korriku, por në fakt janë 30% e bizneseve që e kanë të pamundur të bëjnë dorëzimin sepse sistemi nuk punon. Dhe kjo përkthehet në 105 milionë lekë gjoba që i ngarkohen bizneseve për faj të mungesës së menaxhimit nga ana e QKB. Ne kemi aplikuar që në muajin qershor për të dorëzuar pasqyrat financiare, por ato nuk ngarkohen. Ankesat s’po i marrin më parasysh dhe i vetmi reagim nga ana e tyre është që sistemi punon shumë mirë, por është i ngarkuar se ju e keni lënë për në fund”, ankohen përfaqësuesit e bizneseve.


Por, duke pasur një numër të lartë ankesash, QKB është tërhequr, duke pranuar mbingarkesën në sistem. Bizneset, të cilat kanë aplikuar online nëpërmjet portalit e-albania deri në orën 24:00 të 31 korrikut për të depozituar pasqyrat financiare për vitin 2018 dhe rezultojnë se kanë marrë një numër aplikimi (CN…), por për shkak të mbingarkesës së madhe të aplikimeve në të njëjtën kohë është bërë e pamundur plotësimi dhe dërgimi në mënyrën e duhur të pasqyrave financiare, nuk do të aplikohet kundërvajtje administrative. Kjo bëhet e ditur nga Qendra Kombëtare e Biznesit, në kushtet kur shumë biznese po hasin vështirësi në ngarkimin në rrjet të pasqyrave financiare për shkak të mbingarkesës së krijuar si rrjedhojë e aplikimeve në fund të afatit. “Ndërkohë të gjithë këto subjekte që kanë aplikuar, por që nuk kanë finalizuar me sukses aplikimin për arsyen e lartpërmendur duhet të përfundojnë aplikimin e nisur edhe pas datës 31.07.2019, dhe të dërgojnë në mënyrë përfundimtare pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit pasqyrat financiare të vitit 2018”, deklarohet nga QKB.




Skip to toolbar