Blinken në Tiranë/ Milo: Gur kilometrik, premton t’i çojë marrëdhëniet shumë përpara. Tarifa: Për kohën, vizita ishte e një rëndësie të madhe

Më të fundit


Javën e kaluar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken vizitoi Tiranën, një vizitë që u cilësua si historike dhe me domethënie të veçantë. Mesazhet që përcolli diplomati amerikan u diskutuan në emisionin “Real Story” me gazetarin Sokoll Balla dhe të ftuarit Paskal Milo dhe Fatos Tarifa.

Ish ministri i Jashtëm Paskal Milo theksoi se vizita e Blinken është një gur kilometrik që premton se do t’i çojë marrëdhëniet e forta mes SHBA dhe Shqipërisë edhe më përpara në të ardhmen.


“Për çdo qeveri, vizitat e përfaqësuesve të lartë amerikanë, sepse këtu kanë ardhur edhe Presidentë të SHBA, apo përfaqësues të tjerë të lartë, një vizitë e tillë ka një rëndësi të dorës së parë, ose shumë të rëndësishme, varet edhe nga momenti në të cilin bëhet. Po ta gjykoj unë nga pozitat e ministrit të jashtëm në vitet, 1997-2001, patjetër që do të thosha që marrëdhëniet e SHBA me Shqipërinë kurrë nuk kanë qenë më historike, dhe më të rëndësishme se sa në kohën e konfliktit të Kosovës.

Është një gjykim që unë e bëj jo thjesht nga pozita e ish ministrit të jashtëm, por e bëj edhe nga pozita e historianit, që di tani të bëjë një analizë dhe një vlerësim të situatave. Prandaj edhe deklarata e ministrit të jashtëm me të drejtë e cilëson tani për këtë nivel marrëdhëniesh në të cilën Shqipëria ndodhet me SHBA, si një gur kilometrik që shënon vërtetë një pozicion që premton se do i çojë marrëdhëniet edhe më përpara në të ardhmen. Është gur kilometrik, por largësinë për të matur dhe vlerësuar këto marrëdhënie tani e tutje, nuk mund t’i themi dot që tani. Duhet të presim disa kohë që të vendosim një gur tjetër kilometrik dhe të shikojmë sa larg kanë vajtur dhe sa shpejt kanë arritur.“, u shpreh Milo.

Ndërsa ish ambasadori shqiptar në Uashington, Fatos Tarifa shtoi se vizita e sekretarit të shtetit duhet parë në kontekstin e kohës.

“Paskali ka të drejtë, asnjë vizitë nuk i ngjan tjetrës. Çdo vizitë e një sekretari shteti, duhet parë në kontekstin e kohës. Nga 1991, kur erdhi Baker, Shqipëria sa qe hapur, marrëdhëniet diplomatike sapo qenë rivendosur. Që një tjetër atmosferë një tjetër moment historik për kombin tonë. Situata krejt të ndryshme. Unë kam një përvojë të drejtpërdrejtë me vizitën e sekretarit Poëell në 2003 dhe Rumsfled, nënshkrimi i Kartës së Adriatikut dhe nënshkrimi i marrëveshjes dypalëshe për paragrafin 1993 të Traktatit të Romës edhe ajo shumë e rëndësishme. Shqipëria ishte e vetmja në Evropë, asnjë vend tjetër i BE nuk e ka nënshkruar atë marrëveshje dhe pati kritika të forta, por e bëri mirë kryeministri Nano që e nënshkroi. Por ishte një tjetër situatë. Në atë kohë preokupimi kryesor i ynë qe të anëtarësoheshim në NATO si 7 vendet e tjera. Sot janë të tjera kohë. Në atë kohë nuk kishte konflikt ne Evropë, sot ka konflikte të mëdha. Shqetësimet nuk ishin këto. Në kontekstin e ditëve tona, kjo vizitë ishte në kontekstin e një rëndësie shumë të madhe. Qëndrimi këtu zgjati shumë më tepër se në rastet e tjera, 8 orë janë shumë për një vend të vogël për një sekretar Shteti. Dhe në përgjithësi, duke reflektuar këto ditë nga kjo vizitë, do duhet prap kohë ta mendojmë, por them ishte një vizitë shumë e rëndësishme, e shkëlqyer e organizimit dhe mesazheve që u përcollën në të. Kështu e krahasoj me vizitat e mëparshme, secila ka patur rëndësinë e vet, por kjo për shkak të kohës që jetojmë, situatave brenda vendit, jashtë, në Kosovë, situatat në rajon rreth nesh dhe angazhimeve që Amerika ka në këtë vit, presim zgjedhjet presidenciale, gjendet kohë të vihet në Shqipëri, të qëndrohet kaq gjatë. Të takohet me interlokutorët kryesorë të vendit, pa opozitën.“, u shpreh Tarifa./abcnews.al




Skip to toolbar