Çekaj i kokainës përplaset me prokurorin e SPAK: Më sulmon se jam nga Tropoja

AKTUALITET


Arbër Çekaj i akuzuar për 613 kg., kokainë të kapur në Durrës është përplasur gjatë seancës gjyqësore të zhvilluar të mërkurën, me prokurorin e SPAK, Edvin Kondili duke e akuzuar atë se jo vetëm që i ka rrezikuar jetën e tij dhe të familjes duke përhapur lajme të pavërteta, por edhe sepse e sulmon atë për shkaqe personale, pasi ai është nga Tropoja.

Çekaj tha se i është rrezikuar jeta, për shkak se sipas tij, prokurori Kondili ka përhapur lajme të rreme sipas të cilave Çekaj ka bashkëpunuar me autoritetet ku ka nxjerrë emra të tjerë të lidhur me trafikun e drogës.


“Prokurori përhapi lajme se unë kam folur dhe nxjerrë emra të tjerë, duke vënë në rrezik jetën e familjarëve të mi edhe të babait të moshuar. Unë s’do ta bëja këtë për familjen e prokurorit”, tha para togave të zeza Çekaj.

Duke vijuar në këtë linjë, administratori i Arbi-Garden tha se prokurori e ka personale me familjen e tij, për shkak të mbiemrin dhe origjinës së tij nga Tropoja. “Unë jam në burg, se jam prej Tropoje. Se kam pas një mbiemër, (Kuliçaj) që si pëlqen prokurorit. Ai e ka personale me familjen time.”, tha ai. Madje biznesmeni nuk i kurseu akuzat, ndërsa shtoi se: “Nëse SPAK s’ka prokurorë të tjerë, propozoj një nga Serbia meqë tani kemi dhe marrëdhënie të mira”. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit, i cili ishte i pranishëm në sallë, duke i sugjeruar të pandehurit që mos të kërcënojë. “Kërcënimet s’ti këshilloj, pasi s’më shqetësojnë”, tha prokurori.

Ndërkohë avokatët e tij kanë kërkuar pezullimin e gjykimit derisa KLP të shqyrtojë kërkesën per përjashtimin e Edvin Kondilit.

Më herët Arbër Çekaj i akuzuar për trafikimin e 613 kg., kokainë që u gjetën të fshehura në një kontejner me banane që vinte nga Amerika Latine, depozitoi kallëzim për prokurorin Kondili me pretendimin  se ai ka manipuluar provat gjatë hetimit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar 21 vite burg për biznesmenin Arbër Çekaj. Seanca e radhës për Arbër Çekajn është lënë më 23 janar ora 13.00.




Skip to toolbar