Çështja “Kajmaku”, PD kërkon transparencë nga Prokuroria, vë në dijeni SHBA

AKTUALITET


Partia Demokratike i kërkoi Prokurorisë dokumentacionin e plotë për çështjen e verifikimit të Agim Kajmakut, sipas saj i arrestuar dhe i kërkuar në Greqi me emrin  Jorgo Toto për një krim që dënohet me 10 vjet burg. Partia Demokratike kërkon të njihet me çdo veprim të prokurorisë që nga data e dorëzimit prej saj të kërkesës së verifikimit në 20 Gusht deri në 5 Shtator.

Në një letër drejtuar prokurorisë me firmën e Gazmend Bardhit, të cilën për dijeni ia kanë dërguar edhe ambasadës së SHBA dhe delegacionit të BE-së, PD kërkon përgjigje nga prokuroria se përse Agim Kajmaku nuk ka dorëzuar akoma gjurmët e gishtërinjve.


Duke iu referuar përgjigjes së Postës, Partia Demokratike thotë se nuk ka asnjë dyshim që shtetasi Agim Kajmaku e ka marrë njoftimin zyrtar për dorëzimin e gjurmëve daktiloskopike më datë 29 Gusht dhe sipas nenit 8 të ligjit të dekriminalizimit, duhet të kishte përmbushur detyrimin e tij deri në datën 3 Shtator 2019. “Çuditërisht,  nga ana juaj më datë 4 Shtator thuhet se subjekti nuk e ka marrë ende shkresën. Ky në fakt duket më shumë si justifikim i paligjshëm nga ana e organit të prokurorisë për të mos zbatuar sanksionin që parashikon ligji në rast se subjekti nuk dorëzon gjurmët daktiloskopike.”- thuhet në kërkesën e Sekretarit të Përgjithshëm të PD për të marrë të gjithë dokumentacionin me veprimet e Prokurorisë për këtë çështje.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi shpreh bindjen se “çdo shkelje e ligjit nga ana e organit të prokurorisë mbi këtë çështje, do të evidentonte edhe më shumë faktin që sot Prokuroria e Përgjithshme, nën drejtimin e shtetases Arta Marku, është shndërruar në një celulë të mbrojtjes së krimit. Ju, sipas urdhrit të Edi Ramës, mund ta zvarrisni, pengoni apo tentoni ta manipuloni të vërtetën, por ju kurrsesi nuk do mund të pengoni që ajo të dal qartë dhe në mënyrë të pakontestueshme përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë!- thuhet në kërkesën e Partisë Demokratike për të zbardhur veprimet e prokurorisë për çështjen e Agim Kajmakut.

PD akuzon kryebashkiakun Kajmaku se ka fshehur nga formulari i dekriminalizimit faktin se sipas saj është arrestuar në Greqi dhe është akoma në kërkim atje për një krim që dënohet me 10 vjet burg.




Skip to toolbar